
Deputeti socialist thotë se dhjetëra miliona euro mbështetje nuk kanë kaluar ende te fermerët dhe kërkon riorganizim të thellë të institucionit
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar publikisht përmes një postimi në rrjete sociale, ku ka kritikuar administratën shtetërore për ditët e gjata të pushimit në fundvit dhe për vonesat në shpërndarjen e fondeve të mbështetjes për bujqit.
Sipas Braçes, në dispozicion të sektorit bujqësor ndodhen 13 milionë euro të mbetura nga viti i kaluar, si dhe 19 milionë euro të shtuara përmes aktit normativ, por këto fonde ende nuk kanë kaluar te fermerët. Ai thekson se mungesa e pagesave nuk lidhet më me pamjaftueshmërinë e buxhetit, por me mosfunksionimin e administratës.
Në reagimin e tij, Braçe ka kritikuar drejtpërdrejt AZHBR, duke deklaruar se institucioni ka dështuar të shpërndajë fondet brenda afateve dhe se ka nevojë për një riorganizim rrënjësor.
Ai shton se gjatë periudhës së pushimeve, fermerët kanë vijuar punën pa ndërprerje në kushte të vështira, në fusha, sera dhe stalla, ndërsa administrata nuk ka ofruar shërbimin e nevojshëm. Sipas deputetit socialist, punonjësit përgjegjës duhet të angazhohen pa ndërprerje për të garantuar që mbështetja financiare të shkojë tek ata që punojnë në terren.
Reagimi i Braçes vjen në një kohë kur bujqësia përballet me sfida të shumta dhe mbështetja financiare konsiderohet jetike për vijimin e aktivitetit të fermerëve në gjithë vendin.
