
Deputeti socialist tregon se pavarësisht tensioneve politike, disa deputetë të PD e kanë përgëzuar për qëndrimet në çështjet me interes publik.
Erion Braçe, deputeti i Partisë Socialiste, ka treguar se në Kuvend ka marrë reagime pozitive edhe nga përfaqësues të opozitës, ndonëse shpeshherë është kritikuar nga drejtuesit e Partisë Demokratike. Në një intervistë për emisionin Kjo Javë, ai u shpreh se tre deputetë demokratë kanë veçuar punën dhe angazhimin e tij.
Braçe theksoi se nuk është ndër figurat më të pëlqyera nga drejtuesit e lartë të PD, por shtoi se ky realitet nuk ka penguar disa deputetë të opozitës ta vlerësojnë për nismat që ai ndërmerr. Ai përmendi fillimisht Bujar Leskajn, duke e cilësuar si një koleg me të cilin ka gjetur gjuhë bashkëpunimi në disa çështje.
Ndër emrat që e kanë surprizuar, Braçe solli edhe rastin e deputetit të ri Besart Xhaferri. Sipas tij, pas seancës dëgjimore me minatorët e Spaçit, Xhaferri iu afrua për ta përgëzuar dhe i shtrëngoi dorën në shenjë respekti për qëndrimin e tij publik.
Ai foli edhe për Jorida Tabakun, duke e cilësuar si një emër me të cilën bashkëpunimi në komisione ka qenë i vazhdueshëm dhe konstruktiv. Braçe tha se Tabaku shpesh kritikohen brenda PD për qasjen e saj, por pavarësisht kësaj, marrëdhënia e tyre profesionale në Kuvend ka mbetur pozitive.
Në përfundim, Braçe nënvizoi se pavarësisht përplasjeve politike, në Kuvend ekzistojnë momente bashkëpunimi që tregojnë se dialogu është i mundur kur fokusi mbetet tek interesat e qytetarëve.
