
Wall Street Journal raporton se, pas grabitjes së bujshme në Louvre, Franca ka numëruar nëntë vjedhje muzeale vetëm këtë vit, teksa rritja e çmimit të arit po nxit bandat të synojnë institucionet kulturore me siguri të dobët.
Grabitja spektakolare që ndodhi më 19 tetor në muzeun e Louvre ka bërë jehonë në mbarë botën, por sipas Wall Street Journal, ajo është vetëm maja e ajsbergut. Gazeta amerikane kujton se ky ishte vetëm një nga nëntë rastet e vjedhjeve në muzetë francezë gjatë vitit 2025, duke e përshkruar Francën si një terren të favorshëm për grupet kriminale, të cilat përfitojnë nga siguria e mangët e institucioneve kulturore.
Që prej fillimit të shtatorit, gjashtë muzetë francezë janë grabitur, madje një prej tyre dy herë brenda pak ditësh. Një prej rasteve më të rëndësishme ndodhi në Muzeun Kombëtar të Historisë Natyrore, ku u vodhën rreth gjashtë kilogramë ar në formë pepitash, me një dëm që kap vlerën 1.5 milionë euro. Vetëm pak ditë më vonë, muzeu i Désert, i vendosur në një zonë të largët të Cévennes, u bë shënjestër e një tjetër grabitjeje për shkak të mungesës së rojave.
Vetëm një javë para vjedhjes në Louvre, katër persona të maskuar sulmuan muzeun Quai Branly-Jacques Chirac në Paris, duke kërcënuar stafin dhe vizitorët me armë zjarri dhe thika. Pavarësisht se autorët u arrestuan brenda ditës, muzeu u grabit sërish natën pasuese, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi masat e sigurisë.
Sipas medias amerikane, muzetë europianë po shndërrohen në pre të lehta për grupet kriminale, kryesisht për shkak të kostove të larta të sigurimit, mungesës së personelit dhe ekspozimit publik të objekteve të çmuara. Rritja e vazhdueshme e çmimit të arit ka bërë që shumë banda të zhvendosin interesin drejt muzeve, ku shpesh mungojnë kontrollet e rrepta që hasen në bizhuteritë dhe dyqanet e mbrojtura fort.
Çështja ka rikthyer në qendër të debatit nivelin e sigurisë së trashëgimisë kulturore franceze dhe nevojën për investime të reja për të mbrojtur koleksionet e çmuara që tërheqin miliona vizitorë çdo vit.
