
Organet kryesore të informimit, nga The Washington Post te CNN, refuzojnë rregullat e reja që i detyrojnë gazetarët të nënshkruajnë zotime për të mos publikuar materiale të paautorizuara.
Një përplasje e fortë po zhvillohet mes mediave më të mëdha amerikane dhe Departamentit të Mbrojtjes, pasi ky i fundit ka miratuar një sërë rregullash të reja që kufizojnë mënyrën si gazetarët mund të raportojnë mbi aktivitetet e Pentagonit.
Sipas një memoje të shtatorit, reporterët duhet të firmosin një deklaratë ku zotohen se nuk do të publikojnë materiale të paautorizuara, përfshirë edhe dokumente të paklasifikuara, në mënyrë që të ruajnë akreditimin për të raportuar brenda Pentagonit.
Pas kundërshtimeve të ashpra, përfshirë nga NPR, The Washington Post, The Wall Street Journal, The New York Times, CNN, Reuters dhe Associated Press, Pentagoni ndryshoi formulimin, duke kërkuar vetëm që gazetarët t’i “njohin” rregullat. Por redaksitë kryesore e cilësuan edhe këtë version si të papranueshëm dhe në kundërshtim me Amendamentin e Parë të Kushtetutës, që garanton lirinë e shtypit dhe fjalës.
Në një deklaratë publikuar në platformën X, redaktori ekzekutiv i The Washington Post, Matt Murray, theksoi: “Këto kufizime minojnë mbrojtjen që Kushtetuta i ofron lirisë së shtypit dhe vendosin pengesa të panevojshme ndaj raportimit të drejtë dhe të paanshëm”.
Në të njëjtën linjë janë rreshtuar edhe media konservatore si The Washington Times dhe Newsmax, e cila e quajti nismën “të panevojshme dhe të rëndë”.
Shoqata e Gazetarëve të Pentagonit (Pentagon Press Association) reagoi ashpër, duke theksuar se edhe pse Departamenti i Mbrojtjes ka të drejtë të vendosë rregulla për qasjen në hapësirat e tij, ai nuk mund të imponojë politika antikushtetuese si parakusht për raportim. Shoqata paralajmëroi gjithashtu se zbatimi i këtyre rregullave mund t’i ekspozojë gazetarët ndaj ndjekjeve penale.
Këto ndryshime janë promovuar nga Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ish-prezantues i Fox News, i cili u emërua në këtë post nga Presidenti Donald Trump në fillim të vitit.
Në reagimin e tij, zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, u shpreh se negociatat me Shoqatën e Gazetarëve janë zhvilluar në mirëbesim, por shtoi se nxitja e anëtarëve të ushtrisë apo civilëve për të kryer krime është rreptësisht e ndaluar.
Debati mbetet i hapur, ndërsa shumë vëzhgues paralajmërojnë se kjo përplasje mund të shënojë një precedent të rrezikshëm për marrëdhënien mes ushtrisë dhe lirisë së shtypit në Shtetet e Bashkuara.