
Grupi i kontrolluar nga Telekom Srbija zgjeron aktivitetin në rajon, mes lëvizjeve të mëdha në tregun audioviziv shqiptar
Arena Channels, një nga grupet më të mëdha mediatike në pronësi të Telekom Srbija, ka hyrë zyrtarisht në tregun shqiptar me themelimin e kompanisë Arena News Channels Two Albania. Regjistrimi i saj në Qendrën Kombëtare të Biznesit është bërë këtë të enjte dhe shënon zgjerimin më të ri të ndikimit mediatik serb në Shqipëri.
Kompania do të merret me prodhimin, transmetimin dhe shpërndarjen e përmbajtjeve audiovizive përmes televizionit, internetit, platformave digjitale dhe rrjeteve sociale. Në objektin e saj përfshihen edhe publikimet online dhe administrimi i mediave elektronike.
Adresa e regjistruar është në rrugën Dervish Shaba, në të njëjtin bllok ku ndodhen disa kompani të tjera të medias, përfshirë televizionin Adria Med të biznesmenit Enver Mehmeti, i cili ka deklaruar se kjo hyrje nuk lidhet me aktivitetin e tij.
Arena Channels ka histori të gjatë në rajon. Së pari u krijua në vitin 2009 nga Goran Đaković si kompania HD-WIN, ndërsa në maj 2019 u ble nga Telekom Srbija, duke u kthyer në një entitet të kontrolluar indirekt nga shteti serb. Grupi është i njohur për të drejtat e transmetimit të ngjarjeve sportive në Serbi, Bosnjë, Mal të Zi, Kroaci dhe për mbajtjen e licencës së Euronews Serbia.
Hyrja në Shqipëri vjen në një periudhë të turbullt për tregun mediatik. Familja Dulaku ka shitur platformën Tring një kompanie të lidhur me grupin Devolli, ndërsa qarkullojnë zëra se edhe Digitalb mund të jetë në proces negociatash, megjithëse ende pa konfirmime.
Zgjerimi i Arena Channel Albania ngre pikëpyetje për konkurrencën, balancën mediatike rajonale dhe ndikimin e aktorëve të huaj në tregun shqiptar, i cili pritet të përballet me një valë të re transformimesh.
