Dukesha e Sussexit surprizon ndjekësit me pamje të rralla nga jeta familjare në Kaliforni, duke treguar fytyrat e fëmijëve
Meghan Markle dhe Princi Harry kanë ndarë një video të re familjare në Instagram, ku për herë të parë pas më shumë se tre vitesh, shfaqen fytyrat e fëmijëve të tyre, Archiet dhe Lilibetit.

Pamjet janë regjistruar gjatë një vizite në fermën “Lane Farms” në Santa Barbara, ku familja mori pjesë në përgatitjet për festën e Halloween. Më pas, çifti shfaqet në shtëpinë e tyre në Montecito, duke gdhendur kunguj dhe duke kaluar kohë me nënën e Meghanit, Doria Ragland, si edhe me mikun e saj të ngushtë, Markus Anderson, të cilin ajo shpesh e quan bashkëshorti i dytë, për shkak të afërsisë së tyre.
Në klipin e shkurtër, Archie, tashmë gjashtë vjeç, shihet duke vrapuar mes fushës me misër, ndërsa motra e tij katërvjeçare Lilibet luan pranë babait që gdhend një kungull. Për fansat mbretërorë, ky është momenti i parë që dy fëmijët shfaqen me fytyrat e tyre të qarta që prej vitit 2022, kur doli një fotografi zyrtare për ditëlindjen e Lilibetit.

Në fund të videos, Harry shfaqet në një moment gazmor duke përdorur një copë kungulli si maskë, gjë që i ka bërë ndjekësit të komentojnë me entuziazëm në rrjetet sociale. “Është bukur t’i shohësh sërish kaq të qeshur dhe familjarë”, shkroi një përdorues.

Për këtë dalje, Meghan kishte zgjedhur një pamje të thjeshtë, por elegante: një xhaketë kafe “Anine Bing” me vlerë 400 dollarë dhe çizme prej lëkure “CO Leather” që kushtojnë mbi 1.000 dollarë. Princi Harry mbante një veshje sportive me xhinse, bluzë me kapuç dhe kapele.
Publikimi i videos ka ngjallur debat në rrjet për shkak të qëndrimit të mëparshëm të çiftit ndaj privatësisë së fëmijëve. Megjithatë, mbështetësit e Meghanit theksojnë se pamjet janë të qeta, familjare dhe pa ndërhyrje të mediave, si pjesë e përpjekjes së çiftit për të treguar një anë të sinqertë të jetës së tyre në Kaliforni.
Videoja është parë si një mënyrë për të humanizuar figurën e dukeshës dhe për të rikthyer vëmendjen tek imazhi i një nëne të përkushtuar, larg zhurmës mbretërore që ajo la pas në Londër.
