Një vendgrumbullim sekret me mbetje njerëzore është zbuluar në periferi të Guadalajarës, në një zonë nën kontrollin e Kartelit të Gjeneratës së Re të Jalisco, ndër më të dhunshmit në Meksikë.
Autoritetet meksikane kanë njoftuar një tjetër zbulim tronditës në shtetin perëndimor të Jalisco. Në një parcelë të braktisur në Zapopan, pranë qytetit të Guadalajarës, hetuesit kanë gjetur 48 qese plastike që përmbanin pjesë trupash njerëzore.
Sipas prokurores shtetërore Blanca Trujillo, analizat mjeko-ligjore do të përcaktojnë numrin përfundimtar të viktimave, pasi përmbajtja e qeseve është në proces identifikimi. Zbulimi u bë falë punës së grupit vullnetar “Guerreros Buscadores”, një kolektiv familjarësh që kërkojnë të afërmit e zhdukur në mbarë Meksikën.
Kjo ngjarje makabre është vetëm një kapitull tjetër në dhunën e përgjakshme që ka pllakosur Jaliscon, bazën kryesore të Kartelit të Gjeneratës së Re të Jalisco (CJNG), një organizatë kriminale që SHBA e ka shpallur “organizatë terroriste të huaj”. Ky kartel, së bashku me atë të Sinaloas, konsiderohen furnizuesit kryesorë të fentanilit – një drogë sintetike që ka shkaktuar mijëra vdekje nga mbidoza në Shtetet e Bashkuara.
Që prej vitit 2006, kur qeveria meksikane shpalli “luftën kundër karteleve”, vendi ka regjistruar mbi 127 mijë persona të zhdukur. Vetëm në Jalisco, numri i tyre kalon 15,900, duke e kthyer rajonin në simbol të dhunës së paimagjinueshme që ushqen luftën e përjetshme të Meksikës kundër karteleve.
Në qershor, në të njëjtën zonë të Zapopanit, autoritetet identifikuan mbetjet e 34 personave të tjerë. Tani, me këtë gjetje të re, zinxhiri i dhunës në Jalisco vetëm sa zgjatet, duke lënë pas qindra familje që ende kërkojnë një varr për të dashurit e tyre.
