
Presidenti amerikan ironizon Maduron dhe pranon se vallëzimi i tij konsiderohet jopresidencial nga Zonja e Parë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, ka habitur sërish opinionin publik me një deklaratë të pazakontë, duke folur për kërcimet e tij gjatë një fjalimi para republikanëve në Kennedy Center, në Uashington. Tramp pretendoi se presidenti i kapur i Venezuelës, Nicolás Maduro, po përpiqet të imitojë lëvizjet e tij të famshme të vallëzimit.
Gjatë fjalimit, disa ditë pas operacionit ushtarak amerikan në Venezuelë që përfundoi me kapjen e Madurros dhe bashkëshortes së tij, Tramp tha me ironi se kundërshtari i tij “ngrihet në skenë dhe përpiqet të kopjojë kërcimin tim”. Ai shtoi se, ndryshe nga ai, Maduro është një figurë e dhunshme dhe e lidhur me krime, duke e shoqëruar deklaratën me akuza të rënda politike.
Në të njëjtën kohë, Tramp pranoi se kërcimet e tij, të njohura sidomos nga përdorimi i këngës Y.M.C.A. në mitingje, nuk pëlqehen aspak nga bashkëshortja e tij, Melania Tramp. “Melania e urren kur e bëj këtë. Ajo më thotë se është jopresidenciale”, u shpreh Tramp, duke shtuar me shaka se nuk mund ta imagjinonte as Franklin D. Roosevelt duke kërcyer.
Deklaratat erdhën në një moment të tensionuar politikisht, teksa Tramp vlerësoi si të shkëlqyer operacionin ushtarak amerikan në Venezuelë, ndërsa njëkohësisht paralajmëroi kundërshtarët e tij politikë për rrezikun e një tjetër procesi shkarkimi nëse republikanët humbasin zgjedhjet e ardhshme.
Fjalimi dhe komentet e Tramp për kërcimet e tij janë shpërndarë gjerësisht në media dhe rrjete sociale, duke u bërë një tjetër episod i pazakontë në stilin e tij të komunikimit, që përzien politikën, ironinë dhe provokimin publik.
