

Meloni apelon nga Parisi për më shumë qeveri konservatore në BE dhe shpreson për një ndryshim politik në Francë.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni u është drejtuar me një mesazh pjesëmarrësve të një aktiviteti të organizuar në Paris nga eurodeputetja franceze Marion Maréchal, ku theksoi se dëshiron të shohë më shumë qeveri konservatore në Evropë.
“Ne kemi nevojë për shumë më tepër qeveri konservatore në krahun tonë. Shpresoj që një ditë kjo të ndodhë edhe në Francë, për t’u ofruar miliona francezëve një alternativë të fortë dhe të besueshme,” -deklaroi Meloni në një video mesazh në frëngjisht.
Duke folur për eventin e titulluar “Në Europë, e djathta që fiton”, kreu i qeverisë italiane tha se synon të ndryshojë Evropën, duke ndërtuar një Bashkim Evropian më pak burokratik, më sovran dhe të mbështetur mbi vlerat e familjes, fesë dhe identitetit.
Meloni nënvizoi gjithashtu se qeveria e saj, në pushtet që prej vitit 2022, po kthehet në një nga më jetëgjatat e Republikës italiane, duke sjellë rezultate ekonomike të vlerësuara edhe nga agjencitë ndërkombëtare si Fitch. “Në Itali kemi treguar se e djathta është e aftë jo vetëm të fitojë zgjedhjet, por edhe të qeverisë,” -shtoi ajo.