Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, dhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, zhvilluan një konferencë të përbashkët për marrëveshjen mbi emigrantët.
Meloni tha se në Europë ka një grup që diskutohet mbi fluksin e migracionit dhe se disa vende përpiqen të adaptojnë nisma të ngjashme. “Kjo është një nismë revolucionare,” u shpreh ajo, duke shtuar se protokolli do të funksionojë plotësisht kur të miratohet marrëveshja e re për azilin. Meloni theksoi se të gjithë aktorët duhet të marrin përgjegjësitë e tyre, edhe nëse disa transferime emigrantësh janë bllokuar për arsye të ndryshme.
Nga ana e tij, Rama theksoi se marrëveshja me Italinë për emigrantët është e drejtë dhe e dobishme për të dy vendet. “Si mund të pendohen për marrëveshjen për emigrantët? Këto projekte i shërbejnë mirë jo vetëm Shqipërisë, por edhe Italisë,” tha ai. Rama shtoi se bashkëpunimi me Italinë në fushën e mbrojtjes sjell përfitime edhe ekonomike për të dy vendet.
“Italia mund t’i kërkojë Shqipërisë çfarë të dojë, dhe ne përgjigjemi ‘PO’. Me vende të tjera, i respektojmë kërkesat, por nuk mund të kërkojnë çfarë u vjen në mendje,” përfundoi kryeministri.
