
Satira që u mor për e vërtetë: Lercio “zhgënjen” rrjetin me lajmin për Flotiljen në Shqipëri
Faqja e njohur italiane e humorit Lercio.it publikoi një lajm satirik që tronditi rrjetin: “Të kthyerit e Flotiljes do të strehohen në CPR në Shqipëri”. Artikulli, i firmosur nga Simone Bruschi, ironizonte politikat e qeverisë italiane për emigracionin dhe marrëveshjen me Shqipërinë për qendrat e riatdhesimit.
Megjithatë, lajmi u mor seriozisht nga një pjesë e madhe e publikut. Dhjetëra përdorues komentuan me indinjatë, ironi apo hutim, duke menduar se deklarata ishte reale. “Nuk di më të dalloj Lercio nga realiteti”, -shkroi një komentues, ndërsa një tjetër shtoi: “Mos i jepni ide Melonit, se është në gjendje ta bëjë me të vërtetë”.

Në rrjetet sociale, postimi u shpërnda me mijëra herë, duke nxitur debat për mënyrën se si satira po pasqyron gjithnjë e më shumë absurditetin e politikës italiane. Disa e lexuan si humor të zgjuar, të tjerë si një “profeci e frikshme” që mund të bëhet realitet.
Rasti tregon edhe një herë se në klimën aktuale politike, vija mes satirës dhe lajmit të vërtetë është bërë gati e padukshme dhe se ndonjëherë, një shaka e mirëkrijuar, është më tronditëse se çdo deklaratë zyrtare.
.