
Autoritetet hetojnë rolin e Jessica Morettit gjatë zjarrit në resortin e skive në Crans-Montana
Një akuzë e rëndë ka tronditur opinionin publik pas zjarrit shkatërrimtar që mori jetën e 40 personave gjatë festimeve të Vitit të Ri në një bar nate në Zvicër. Mediat italiane raportojnë se menaxherja e lokalit, Jessica Moretti, 40 vjeçe, është filmuar duke u larguar nga godina në flakë me arkën e parave, ndërsa dhjetëra persona përpiqeshin të shpëtonin jetën.
Sipas raportimeve, Moretti dyshohet se ka injoruar thirrjet për ndihmë të klientëve në momentet kur zjarri kishte përfshirë plotësisht ambientin e lokalit Le Constellation, në një nga resortet më të njohura të Alpeve zvicerane. Ajo ka pësuar djegie në krah, ndërsa disa media hedhin dyshime se plagosja mund të jetë shkaktuar gjatë përpjekjes për të marrë arkën e parave.
Zjarri dyshohet se shpërtheu pasi stafi përdori shishe shampanje me fishekzjarrë të vendosur pranë tavanit, duke ndezur materialin izolues. Hetuesit besojnë se brenda pak sekondash ndodhi një fenomen i njohur si flashover, duke e bërë pothuajse të pamundur arratisjen.
Pronari i lokalit, bashkëshorti i saj Jacques Moretti, 49 vjeç, nuk ndodhej në ambient në momentin e tragjedisë. Të dy janë nën hetim për vrasje nga pakujdesia dhe zjarrvënie nga neglizhenca, ndonëse ende nuk ka pasur arrestime.
Ish-punonjës të lokalit kanë deklaruar se standardet e sigurisë ishin problematike, me dalje emergjence të bllokuara dhe mjete zjarrfikëse të mbyllura me çelës. Autoritetet vendore kanë pranuar se lokali nuk ishte inspektuar për sigurinë nga zjarri që prej vitit 2019.
Nga tragjedia humbën jetën 40 persona nga shtatë shtete të ndryshme, shumica adoleshentë, ndërsa mbi 100 të tjerë u plagosën rëndë. Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë penale dhe institucionale të kësaj ngjarjeje që ka tronditur Evropën.
