
Zhvillime të shumta në Premier League dhe Serie A, me emra të njohur që mund të ndryshojnë skuadër në ditët në vijim.
Afati kalimtar i janarit vijon të sjellë lëvizje dhe spekulime të forta në futbollin europian, me disa klube të mëdha që po punojnë intensivisht për të përforcuar skuadrat e tyre.
Tottenham Hotspur ka refuzuar një ofertë nga AS Roma për huazimin e mbrojtësit rumun Radu Drăgușin. Futbollisti ishte në stol në ndeshjen kundër Aston Villas, ndërsa agjenti i tij kishte deklaruar më herët se Italia mbetet një destinacion i veçantë për lojtarin, pas paraqitjeve të mira të tij në Serie A. Megjithatë, Spurs kanë vendosur të mos e lëshojnë në këtë fazë të sezonit.
Nga ana tjetër, sulmuesi i Tottenham, Mathys Tel, po shtyn për një huazim në mënyrë që të ketë më shumë minuta në fushë dhe të rrisë shanset për përfaqësimin e Francës në Kupën e Botës. 20-vjeçari u ble përfundimisht nga Bayern Munich për 30 milionë paund, por deri tani ka pasur rol të kufizuar. Paralelisht, klubi londinez po finalizon marrëveshjen me Santos për mbrojtësin e krahut të majtë Souza.
Aston Villa po monitoron nga afër dy sulmues. Një prej tyre është Tammy Abraham, aktualisht i huazuar te Beşiktaş nga Roma. Klubi turk ka opsion blerjeje, çka e bën operacionin më të ndërlikuar për Villas. Emri tjetër në radar është sulmuesi i Newcastle United, Will Osula.
Në Itali, Juventus po vijon bisedimet për mbrojtësin e Bournemouth, Marco Senesi. Argjentinasi është drejt fundit të kontratës dhe interes për të ka shfaqur edhe Barcelona, ndaj bardhezinjtë po mendojnë një lëvizje të menjëhershme për të shmangur konkurrencën.
Everton po punon për të blinduar mesfushorin James Garner, i cili ka tërhequr interes nga AC Milan dhe Nottingham Forest. Klubi nga Liverpool shpreson të arrijë një marrëveshje të re sa më shpejt.
Në merkato aktive është edhe Napoli, që ka shtuar mesfushorin e Wolves, Joao Gomes, në listën e objektivave, për shkak të vështirësive për të bindur Manchester United të lëshojë Kobbie Mainoo këtë muaj.
Ndërkohë, Watford po negocion me mesfushorin e Romës, Edoardo Bove, për një kontratë afatshkurtër. Lojtari nuk ka luajtur prej më shumë se një viti pas një problemi serioz shëndetësor dhe pritet të mbetet pa kontratë, duke u bërë lojtar i lirë.
Merkatoja e janarit mbetet e hapur dhe pritet të sjellë të tjera surpriza, ndërsa klubet po lëvizin me kujdes për të përforcuar repartet kyçe.
