Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka lënë përkohësisht qelinë dhe është paraqitur në GJKKO, ku do të marrë pjesë në seancën paraprake për dosjen ndaj tij.
Avokati i tij mbrojtës, Kujtim Cakrani në një deklaratë për gazetarët në hyrje të seancës tha se “sot nis përballja me regjimin e Ramës”.
“Meta sot është në sallën e gjyqit, e keni prezent. Sot fillon përballja me regjimin e Ramës. Për 21 janarin është në një moment tjetër”, tha avokati.
GJKKO do të vendosë për kalimin ose jo të dosjes për gjykim. Më herët, seancat janë shtyrë për shkak të kërkesave të avokatëve për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga çështja me argumentin se është në konflikt interesi pasi po hetohet nga SPAK për akuzat e ngritura më herët nga Sali Berisha se ka fshehur një dënim për falsifikim dokumentesh në Greqi.
Avokati i Metës po ashtu pretendon se SPAK ka shkelur procedurën me paraqitjen e provave të reja lidhur me lobimin e LSI në SHBA, në një kohë kur hetimet për dosjen i ka mbyllur që në korrik.
