
Ish-presidenti u shfaq personalisht në sallë, ndërsa avokati Cakrani deklaroi se nga sot “fillon përballja me regjimin”, duke paralajmëruar dokumente të reja për 21 janarin.
Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u zhvillua sot seanca paraprake për ish-presidentin Ilir Meta, i cili ndodhet në burg që prej tetorit 2024. Meta ishte i pranishëm vetë në sallë, dhe sipas avokatit të tij Kujtim Cakrani, ai do të marrë pjesë personalisht në çdo seancë të procesit.
Gjatë fjalës së tij, avokati u shpreh se “sot fillon përballja me regjimin e Ramës”, duke e konsideruar çështjen ndaj Metës si një proces të motivuar politikisht. Megjithatë, seanca është shtyrë për në 5 dhjetor, pasi Meta ka kërkuar kohë për t’u njohur me aktet e dosjes.
Në dosjen hetimore të SPAK janë bashkuar tre çështje të mëdha: afera CEZ–DIA, lobimi në SHBA dhe verifikimi pasuror. Përveç Metës, të pandehur janë edhe ish-bashkëshortja Monika Kryemadhi dhe tre persona të tjerë.
Avokati Cakrani deklaroi gjithashtu se Meta është gati të flasë për ngjarjen e 21 janarit dhe se disponon “dokumente sekrete” që mund të ndryshojnë rrjedhën e hetimeve, nëse Prokuroria e Lartë vendos ta thërrasë si dëshmitar.
Ai shtoi se Meta është “i qetë, i relaksuar, falë palestrës dhe punës që po bën për librin e tij”, duke theksuar se ish-presidenti nuk do të shmanget nga përballja me akuzat.
Seanca e radhës do të mbahet më 5 dhjetor, ku pritet të shqyrtohen kërkesat dhe provat e paraqitura nga mbrojtja dhe SPAK.
