Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një intervistë për “Syri. net” e quajti procesin e tij gjyqësos si kriminal dhe pengmarrje politike. Ai tregoi dhe cila është gjëja e parë që do të bëjë kur të dalë nga burgu.
Meta tha më tej se nuk mban asnjë përgjegjësi ligjore për çdo veprim financiar të ish-bashkëshortes, Monika Kryemadhit, dhe të afërmve të saj.
Kreu i PL-së, Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit të vitit të kaluar, pasi akuzohet nga SPAK për “korrupsion”, “shpërdorim të detyrës” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”. SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.
Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara.
Intervista:
Z. Meta, u mbushën 13 muaj që ju vazhdoni i izoluar në mënyrë ekstreme, aq sa edhe Avokati i Popullit publikoi së fundmi një tjetër raport shumë kritik për shkeljen e të drejtave tuaja në paraburgim..?
Ilir Meta: Unë ndihem sinqerisht 13 muaj më i ri se më 21 tetor 2024, ditën kur Narkoshteti më rrëmbeu në mënyrë mafioze publikisht, siç e kanë parë të gjithë.
Çdo ditë që kaloj këtu është një ditë e re në drejtim të përvojës, të leximeve, të shkrimeve, të reflektimeve dhe projektimeve për të ardhmen.
Por në aspektin fizik çdo ditë më bën më të ri, më të shëndetshëm, më të fuqishëm, aq sa i premtova para pak ditësh gjatë një bisede telefonike superkampionit olimpik të peshëngritjes, Z. Piro Dhima se gjëja e parë që do të bëj kur të dal këtej është se do mund ish-rekordmenin e njohur, mikun tonë të përbashkët, Z. Muharrem Berisha.
Ndërkohë si po ecën procesi kundër jush?
Ilir Meta: Ky është një proces sa skandaloz, aq edhe kriminal, “standardet” e të cilit janë vulosur në mënyrën e rrëmbimit tim, që i ngjan vetëm rrëmbimit të Aldo Moros nga brigadat terroriste në mes të Romës.
I paligjshëm ka qenë i gjithë procesi hetimor edhe para rrëmbimit, por unë nuk jam shqetësuar asnjëherë sepse kam qenë i bindur se kurrë në jetën time nuk kam shkelur asnjë ligj dhe kjo për arsyen e thjeshtë se gjithmonë kam dashur të jem i lirë, sovran dhe i pashantazhueshëm nga askush, brenda apo jashtë vendit.
Shkeljet proceduriale të qëllimshme të bëra nga organi i akuzës, janë shumë të rënda dhe këto do faktohen gjatë gjykimit në themel ku i ftoj të gjithë gazetarët të jenë të pranishëm dhe do çuditen nga gënjeshtrat, falsifikimet dhe fabrikimet politike që nuk janë të denja as për “Zërin e Popullit” para 1990 dhe jo më për një organ akuze të një vendi që ka nënshkruar Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Kam një pyetje për ju, meqënëse hetimi ka mbaruar dhe “provat” janë mbledhur përse akuza (regjimi) insiston që unë të rri në paraburgim kur unë jam Presidenti i forcës së tretë politike në vend në këto 20 vite, anëtarët dhe simpatizantët e së cilës i paguajnë shumë shtrenjtë prokurorët e SPAK-ut dhe GJKKO, jo vetëm për të luftuar korrupsionin, por edhe për të garantuar process të rregullt ligjor siç e imponon Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut.
Kanë të dhëna se mund të intimidoj dëshmitarë?
Kush i pengon t’i mbrojnë këta dëshmitarë të “çmuar”?
Kanë të dhëna se do intimidoj prokurorë?
Unë deri tani në pyetje jam marrë vetëm nga një prokuror, Z. Sotir Kllapi dhe komunikimi me të ka qenë shumë i sjellshëm dhe i sinqertë.
Po kështu nëse do tentohej nga ana ime t’u bëhej presion dëshmitarëve ose prokurorëve, kjo do ishte në interesin e SPAK-ut se do ngrinte një akuzë të re kundër meje.
Gjithçka është pengmarrje politike.
Shikoni sa të vendosur janë për të dhunuar procesin e rregullt ligjor. “Rastësisht” shorti për gjykimin e seancës paraprake i bie gjyqtares, Znj. Irena Gjoka. Ne kërkojmë përjashtimin e saj për faktin se ajo është nën hetim nga Z. Dumani, i cili është ështe prokurori i dosjes time. Ky konflikt interesi nuk merret parasysh nga GJKKO. Po kështu “rastësisht” i bie shorti gjykatësit, Z. Ilir Panda në Gjykatën e Lartë.
Ne përsëri kërkojmë përjashtimin e tij për arsye se kur unë kam qenë Kryeministër në vitin 2000 e kam shkarkuar nga detyra si Ministër i Drejtësisë dhe ai është në konflikt interesi për gjykim të paanshëm.
Por përsëri Gjykata e Lartë vazhdon me shallin e pionerit, si para 1990, dhe nuk i intereson procesi i rregullt ligjor.
Edhe sot e kësaj dite ende nuk jam njohur me aktet fizike të akuzës (SPAK-ut), të cilat i kërkova edhe personalisht në seancën e fundit të gjykimit paraprak.
Ky degradim i standardeve të procesit gjyqësor shoqërohet me përkeqësimin e standardeve të paraburgimit, të cilat janë shumë më repressive se të personave që akuzohen për vrasje.
Të gjitha këto ligësi të sinkronizuara nga një dorë e vetme veçse më motivojnë më shumë, në betejën time politike kundër këtij regjimi kuislingësh me në krye regjentin e George Soros, që çdo ditë shet dhe fal copa Shqipërie vetëm për të shtyrë sa të mundet qëndrimin në pushtet dhe ditën e ndëshkimit.
Çdo të thoshit sot për 3 akuzat kundër jush?
Ilir Meta: Të tre akuzat janë sa të turpshme, aq edhe absurd, por procesi i hapur i gjykimit do e sqarojë edhe për çdo mendjeshplarë.
Së pari, CEZ-DIA është çështje e gjykuar plotësisht ku relator në Gjykatën e Lartë, rastësisht ka qenë Z. Panda. Asgjëkundi nuk ekziston emri Ilir Meta.
Po kështu, dëmi efektiv që i ka shkaktuar sipas Gjykatës së Lartë, DIA shtetit shqiptar, si pronar i 24% të aksioneve të CEZ është gati 1,5 milion euro. Ndërkohë po kjo Gjykatë ka lënë në fuqi sekuestrimin e gati 4 milion euro të llogarive të Kastriot Ismailit, që në vitin 2014.
Pra kjo është “afera” e vetme ku shteti ka dalë me fitim.
Kjo çështje është gjykuar edhe në Gjykatën e Arbitrazhit në Vjenë dhe në fund të këtij procesi, Z. Tim Schreber, përfaqësuesi i Clifford Chance në letrën falenderuese për bashkëpuniimin drejtuar Z. Gjiknuri, si ministër i Energjisë dhe Z. Adrian Çela si drejtor i OSHE, u kërkon falje për çdo keqinterpretim në media lidhur me emrin e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe i sigurojnë se ata nuk kanë parë asnjë lidhje midis Z. Meta me përfitimet apo praktikat korruptive të administratorëve të DIA-s.
Ndërkohë që SPAK-u nuk pipëtin fare për kallëzimin penal zyrtar të Kontrollit të Lartë të Shtetit kundër Qeverisë Rama lidhur me dëmin ekonomik të shkaktuar shtetit prej 479 milion euro, nga të cilat 95 milion euro si pagesa e dakordësuar në marrëveshje, 352 milion euro detyrimet e prapambetura të CEZ-it ndaj shtetit shqiptar, si rrjedhojë e keqmenaxhimit 2009-2012 dhe 32 milion euro nga zhvlerësimi në zero i vlerës së 24% të aksioneve të shtetit.
U bënë 10 vite që është bërë ky kallzim penal nga KLSH për humben e 479 milion euro dhe a e di dikusht të thotë se ç’ka ndodhur me këtë hetim?
Është e qartë se për SPAK-un prioritet nuk janë rikuperimi i qindra milion eurove të falura, të vjedhura popullit shqiptar, por zbatimi i direktivave të Edi Ramës nga tribunat e PS për arrestimin e Z. Berisha dhe Ilir Metës.
Pikërisht, në kohën e Qeverisë Berisha u kontraktuar një studio prestigjioze francize për të audituar pas prishjes me CEZ-in të gjitha llogaritë dhe detyrimet reciproke dhe ajo vërtetoi të gjitha detyrimet që CEZ-i i kishte shtetit shqiptar, që arrinin deri në 500 milion euro.
Lidhur me akuzën për lobimet, dua t’ju siguroj se qëllimisht SPAK ka dërguar letër-porosi për të mos zbuluar të vërtetën pasi midis LSI dhe GSIS ka një kontratë ligjore ku është mirëpërcaktuar çdo detaj në mënyrën më rigoroze për çdo pagesë dhe njoftim.
Nuk ekziston një kontratë midis Ilir Metës dhe GSIS por midis LSI dhe GSIS.
Nuk ekziston asnjë firmë e Ilir Metës, as në kontratë dhe as për ndonjë autorizimi për ndonjë pagesë pasi LSI ka patur një statut ligjor, se si kryheshin veprimet financiare dhe cili funksionar ishte përgjegjës për këto veprime.
Ju e dini se sot në SHBA nuk ka as “Bilal” dhe as McGonigal në burg, për marrëdhënie të paligjshme me Ilir Metën.
Të degradosh akuzën nga bllofi bombastik i 21 tetorit 2024 se Ilir Meta kishte paguar 1 milion dollar për të takuar Presidentin Trump, te pretendimet qesharake se ka paguar për të takuar Z. Palmer, një zyrtar i nivelit të ulët në Departamentin e Shtetit, është tragjikomike, pasi nuk kanë qenë të rralla rastet kur unë nuk pranoja të takohesha me të, jo thjesht se nuk përfaqësonte një nivel të lartë hierarkik, por sepse sillej si përfaqësues i “Ballkanit të Hapur” dhe jo i Departamentit të Shtetit.
Dhe kishte arsye të forta personale për këtë, për shkak të lidhjeve me Serbinë.
Kjo ishte arsyeja përse më telefononin për çështje të caktuara, zyrtarë të një niveli shumë më të lartë se ai.
Ndërsa për akuzën tejet absurd të pastrimit të parave mund t’ju them vetëm 2 fakte.
Së pari, megjithë investimin tendencioz, jo vetëm të SPAK-ut brenda vendit dhe kudo jashtë, sot e kësaj dite asnjë qindarkë nuk më është sekuestruar dhe as një metër katror.
Fakti i dytë është se analizën financiare e ka bërë një i punësuar në administratën e SPAK-ut, jashtë çdo standardi profesional dhe ligjor.
Unë nuk mbaj asnjë përgjegjësi ligjore për çdo veprim financiar, as të ish-bashkëshortes time, as të nënës së saj dhe as të kushërinjve dhe kushërirave të tyre, për aq kohë sa nuk kam patur asnjë dijeni për parregullsi nga ana e tyre.
Z. Dumani nuk mban përgjegjësi për shkeljen publike nga policia të urdhrave që firmos ai. Ndërsa unë ndryshe prej tij mbaj përgjegjësi për çdo urdhër dhe akt të nënshkruar nga unë, por jo nga të tjerët.
Përgjegjësia penale është individuale dhe jo kolektive.
Sa McGonigalë dhe Mogherinë do të shohim në të ardhmen, aq të mira qofshin.
A e mbani mend se sa shumë eurodeputetë dilnin në borderotë e Sorosit?
Nuk janë asgjë në krahasim me emrat në borderotë e “palloshit të gjatë”, siç e përkëdhelin vartësit e tij.
Kjo është arsyjea pse pensionet e shqiptarëve këtu janë sa gjysma e pensioneve të shqiptarëve në Kosovën që ka gjysmën e buxhetit tonë.
Kjo është arsyjea pse rrugët këtu jo vetëm kushtojnë disa herë më shtrenjtë, por edhe rrëzohen edhe para edhe pas inagurimeve “me këngë dhe valle”.
A jeni optimist se kjo sagë gjyqësore do përfundojë shpejt dhe cili do të jetë impakti te Partia e Lirisë?
Ilir Meta: Ky komplot politik dhe gjyqësor është thurur për një kohë të gjatë, por jam besimplotë në dështimin e tij të turpshëm.
Ky nuk është një proces gjyqësor kundër një individi, por një komplot i gjithanshëm kundër sovranitetit të popullit shqiptar dhe shtetit tonë.
Jam shumë i ndërgjegjshëm për peshën e rëndë historike që kam mbajtur në të kaluarën, por jam edhe më i qartë për peshat më të rënda që do të mbaj në të ardhmen. Ndaj dhe “stërvitem” çdo ditë.
Ndërsa Partia e Lirisë ka një program të mrekullueshëm, atë të 5 Prioriteteve për 4 milion shqiptarë plus, që është në kontrast të plotë me narkoekonominë e “Rilindjes”.
Ndaj duhen shtuar përpjekjet për ta shpjeguar sa më mirë çdo prioritet, ndërkohë që duhet përmirësuar organizimi në kushtet e një regjimi mafioz.
Duhen afruar njerëz të rinj në krye të strukturave të Partisë së Lirisë, të cilët kanë kurajo dhe vullnet për të luftuar për Ndryshimin dhe që janë të pashantazhueshëm nga regjimi
