Ndërsa aksionerët e Tesla-s miratuan një paketë të re shpërblimi prej 1 trilion dollarësh për Elon Musk, nëse arrin objektiva të caktuar brenda 10 viteve të ardhshme, njeriu më i pasur në botë thotë se jeton në një shtëpi prej 50.000 dollarësh në Teksas.
Pavarësisht pasurisë personale që ka tejkaluar çdo rekord historik, Elon Musk këmbëngul se rutina e tij ditore është larg imazhit të një miliarderi tradicional.
Në vitin 2021 ai zbuloi se jeton në një shtëpi të vogël të prefabricuar me vlerë 50.000 dollarë, pranë instalimeve të SpaceX në jug të Teksasit.
“Është disi e mrekullueshme”, kishte thënë atëherë, duke shpjeguar se nuk i nevojitet asgjë më shumë.
Ish-e dashura e tij, Grimes, me të cilën ka dy fëmijë, i kishte thënë Vanity Fair në 2022 se “nuk jeton si miliarder”. “Ndonjëherë jeton nën kufirin e varfërisë”, kishte thënë ajo, duke zbuluar se kishte refuzuar të blinte një dyshek të ri edhe pse i vjetri kishte vrimë.
Kjo, sigurisht, nuk do të thotë se Musk nuk ka bërë investimet e veta. Në 2019, Wall Street Journal zbuloi se zotëronte shtatë rezidenca luksoze me vlerë 100 milionë dollarë në lagjen Bel-Air të Kalifornisë, mes të cilave edhe ish-vila e Gene Wilder, Willy Wonka-s legjendar.
Pronat kishin pishina, fusha tenisi, kantina vere dhe salla vallëzimi
Megjithatë, në 2020 Musk njoftoi në Tëitter se do të shiste “pothuajse gjithçka që zotëron” dhe se nuk do të kishte më shtëpi, duke deklaruar: “I përkushtohem Marsit dhe Tokës. Pronat materiale të rëndojnë”.
Kushti i vetëm ishte që vila e Wilder “të mos humbiste shpirtin”. Në fakt, ia shiti nipit të aktorit, Jordan Walker-Pearlman, por në qershor 2025 e rimori, pasi ky i fundit nuk arriti të shlyente kredinë.
