
Tirana shkatërron Partizanin me shifrat 3-0, ndërsa trajneri i të kuqve pranon krizën dhe lë të hapur largimin nga stoli.
Derbi i kryeqytetit i vlefshëm për javën e 6 të “Abissnet Superiore” solli një tjetër goditje të rëndë për Partizanin. Në stadiumin “Air Albania”, Tirana dominoi plotësisht, duke fituar me rezultatin 3-0 dhe duke thelluar krizën e rivalëve të përjetshëm.
Në përfundim të ndeshjes, trajneri i të kuqve, Mladen Milinkovic, u shfaq i dorëzuar përballë situatës së vështirë që po kalon ekipi. “Nuk mund të fsheh realitetin. Humbja është e rëndë dhe padyshim do të ketë analiza. Unë jam gati të dëgjoj bordin, por në fund vendimi për të ardhmen time i takon presidentit,” -tha ai.
Milinkovic pranoi se skuadra po kalon një moment dramatik: katër humbje radhazi dhe plot 11 gola të pësuar. Ai u justifikua me mungesat dhe dëmtimet, duke theksuar se dy zëvendësime të detyruara në fillim i prishën gjithë planin e lojës. “Kemi lojtarë jashtë forme dhe disa që sapo janë rikthyer nga dëmtimet. Nuk është Partizani i plotë. Lojtarët dhanë maksimumin, por ndonjëherë fati nuk është me ty,” -shtoi ai.
Megjithatë, deklaratat e tij nuk i qetësojnë aspak tifozët, të cilët prej javësh kërkojnë ndryshime. Me Partizanin që nuk gjen stabilitet dhe renditja që rëndohet dita-ditës, duket e pashmangshme që bordi i klubit të marrë një vendim drastik për stolin e kuq.