Minatorët e Spaçit kanë njoftuar se më datë 27 Nëntor në orën 12:00, do të zhvillojnë një protestë dhe tubim të madh në sheshin pranë hyrjes së “Rrugës së Mundimeve”, në dalje të autostradës së Kombit. Ata theksojnë se janë “më të vendosur se kurrë” për të vijuar protestën dhe grevën, pas, sipas tyre, qëndrimit mospërfillës dhe antiligjor të kompanisë koncesionare dhe indiferencës së Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit.
Gjithashtu ata bëjnë thirrje për mbështetje nga komuniteti, autoritetet, deputetët dhe mediat, duke e konsideruar qëndrimin e kompanisë koncesionare “Tete Albania Tunnel & Mining” dhe indiferencën e Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit si të papranueshëm dhe antiligjor.
Njoftimi:
Spaç, me datë 27 Nëntor, ora 12:00, Protestë dhe Tubim në sheshin, në hyrje të rrugës së “Mundimeve” në dalje të autostradës së Kombit! Minatorët të vendosur më shumë se kurrë për të protestuar dhe vazhduar grevën!
Ditën e enjte me datë 27 Nëntor 2025, në orën 12:00, të gjithë së bashku të protestojmë në hyrjen e rrugës së “Mundimeve” në dalje të autostradës së Kombit!
Të nisur nga qëndrimi mospërfillës, arrogant dhe antiligjor i punëdhënësit si dhe indiferenca e Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit si ministria përgjegjëse ligjërisht por dhe e ngarkuar posaçërisht nga strukturat e Parlamentit për të negociuar me palët dhe mbyllur grevën e minatorëve sipas ligjit e në zbatim të tij:
Komisioni i Grevës ju bën thirrje komunitetit mirditor, autoriteteve publike, politike, të pushtetit vendor dhe qëndror, medias, intelektualëve mirditorë si dhe deputetëve të zonës pa dallime politike t’i bashkohen protestës tonë, të bëhen zëri ynë publik për t’u dëgjuar nga veshët e pushtetit të zënë nga propoganda, shpifja dhe mashtrimi i punëdhënësit, Kompania turke “Tete Albania Tunnel & Minning” Sh.a.
Minatorët e Spaçit të mbështetur nga Sindikata e tyre janë të gatshëm të paguajnë çdo çmim, sado i lartë të jetë ai për kauzën e tyre, për dinjitetin e tyre dhe për nderin e respektin e familjeve të tyre e të ardhmen e fëmijëve të tyre! Të gjithë së bashku pa dallime politike, fetare, etnike e krahinore me Minatorët dhe për Minatorët!
