Pas tre javësh protestash në Mirditë, punëtorët e nëntokës të minierës së Spaçit kanë zbritur në kryeqytet, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për të mbrojtur të drejtat e tyre.
Tirana është bërë sot qendra e revoltës së minatorëve të Spaçit, të cilët kanë braktisur përkohësisht galerite e nëntokës për të protestuar para Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit. Me pankarta në duar dhe thirrje për drejtësi, ata kërkojnë zbatimin e marrëveshjeve ligjore dhe njohjen zyrtare të sindikatës së tyre.
“Jemi punëtorë, jo skllevër! Kërkojmë vetëm zbatimin e ligjit dhe të kontratës kolektive,” deklaruan përfaqësues të minatorëve, duke akuzuar kompaninë koncesionare “Tete Albania” për mungesë totale transparence dhe përpjekje për të mbyllur aktivitetin minerar në mënyrë të fshehtë.
Protestuesit theksojnë se situata në minierën e Spaçit është alarmante: kushtet e punës janë të vështira, mjetet e sigurisë të pamjaftueshme dhe pagat shumë më të ulëta krahasuar me rrezikun që përballen çdo ditë në nëntokë.
Sipas tyre, presioni për konservimin e minierës është një formë shantazhi ndaj punëtorëve që po kërkojnë të drejtat e tyre ligjore. “Kërkojmë dialog, jo kërcënime. Ministria duhet të marrë përgjegjësi dhe të zbatojë Kodin e Punës,” u shpreh një prej përfaqësuesve të sindikatës.
Kompania turke që menaxhon Spaçin, nga ana tjetër, nuk ka reaguar ende publikisht, duke lënë në heshtje një konflikt që po përshkallëzohet çdo ditë.
Minatorët paralajmërojnë se protesta do të vijojë përpara institucioneve shtetërore derisa të nënshkruhet kontrata kolektive dhe të garantohet siguria e tyre në punë. “Ne nuk po kërkojmë lëmoshë, po kërkojmë dinjitet,” tha një prej tyre, ndërsa turma shpërthente në duartrokitje.
