
Prej një jave, rreth 70 punonjës të minierës së bakrit në Spaç të Mirditës kanë ndërprerë punën dhe vijojnë protestën për shkak të pakënaqësive ndaj kushteve të punës dhe pagave minimale. Sot, minatorët e kanë përshkallëzuar reagimin e tyre duke bllokuar hyrjen e kompanisë koncesionare “Tete Albania”.
Punëtorët deklarojnë se janë të vendosur të mos i rikthehen punës pa u përmbushur kërkesat e tyre, ndërsa theksojnë se negociatat me kompaninë kanë dështuar, çka ka shtuar tensionet në vendin e punës. Ndër kërkesat kryesore të tyre janë njohja zyrtare e sindikatës së krijuar në muajin gusht dhe nënshkrimi i një kontrate kolektive që, sipas protestuesve, do të garantonte më shumë siguri dhe të drejta në punë.
Minatorët akuzojnë gjithashtu kompaninë për refuzim të dialogut dhe marrje të masave ndëshkuese ndaj organizatorëve të protestës, gjë që ka rritur edhe më tej pakënaqësinë në radhët e tyre.
Aktualisht, aktiviteti në minierë është i pezulluar. Palët pritet të rikthehen në bisedime vetëm në rast se ndërhyrja do të ndërmjetësohet nga autoritetet vendore ose qendrore.