
Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë qytetin e Durrësit nuk kanë kursyer as institucionet e sigurisë, duke shkaktuar përmbytjen e paraburgimit të qytetit. Sasia e madhe e ujit ka mbuluar ambientet e jashtme të hyrjes së institucionit, duke vështirësuar qarkullimin dhe hyrje-daljet.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë se niveli i ujit arrin deri pranë gjurit, ndërsa situata është ndjekur nga afër edhe nga autoritetet. Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka shkuar personalisht në paraburgimin e Durrësit për të parë nga afër gjendjen dhe për të marrë informacion mbi ndikimin e përmbytjeve në funksionimin e institucionit.
Gjatë vizitës, ministri dhe personat që e shoqëronin janë parë të veshur me çizme, për shkak të pranisë së ujit në zonën e hyrjes. Burime bëjnë me dije se po monitorohet situata për të garantuar sigurinë e personelit dhe të paraburgosurve, ndërsa strukturat përkatëse janë angazhuar për normalizimin e kushteve sa më shpejt të jetë e mundur.
Autoritetet u kanë bërë thirrje institucioneve dhe qytetarëve të tregojnë kujdes, pasi reshjet intensive kanë shkaktuar problematika edhe në zona të tjera të qytetit.
