
Thethi mbetet i izoluar për shkak të dëmtimeve në rrugë, ndërsa disa zona raportojnë ndërprerje energjie dhe prani inertesh
Ministria e Mbrojtjes ka publikuar një deklaratë zyrtare mbi gjendjen e motit, duke bërë me dije se situata aktuale është relativisht e qetë, me reshje me intensitet të ulët deri mesatar në shumicën e qarqeve të vendit. Sidoqoftë, autoritetet paralajmërojnë se kushtet atmosferike pritet të përkeqësohen ndjeshëm gjatë pasdites.
Sipas njoftimit, qarku i Shkodrës ka qenë më i prekur nga rrebeshet e ditës së djeshme, ku segmenti rrugor Breg Lumi–Theth është dëmtuar rëndë. Nëntë persona dhe pesë mjete mbetën të bllokuar, por falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave vendore, Policisë së Shtetit dhe efektivëve të Forcave të Armatosura, të gjithë u evakuuan në kohë. Rruga vazhdon të jetë e bllokuar dhe po pastrohet nga inertet, me angazhimin e 10 ushtarakëve.
Probleme janë raportuar edhe në Fushë Arrëz, ku era e fortë ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike. Ndërkohë, në qarkun e Lezhës, një pemë e rrëzuar në aksin Lezhë–Shëngjin ka dëmtuar linjat dhe ka ndërprerë furnizimin me energji, ndërsa në rrugën Lezhë–Balldren ka prezencë inertesh që po pastrohen nga ekipet operacionale. Qarqet e tjera aktualisht nuk raportojnë incidente të rënda.
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se 24 orët e ardhshme do të sjellin reshje të herëpashershme në gjithë territorin, ndërsa në Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër pritet intensifikim i tyre në formë shtrëngatash. Pasditja mund të sjellë rrebeshe të shumta edhe në Lezhë, Durrës dhe Tiranë, të shoqëruara me shkarkesa elektrike. Në disa zona luginore parashikohet mjegull e dendur dhe shikueshmëri e reduktuar.
Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve të tregohen të kujdesshëm dhe të ndjekin njoftimet zyrtare, pasi situata meteorologjike mbetet e paqëndrueshme.
