
Vivian Motzfeldt pranon se presioni ndaj Groenlandës është rritur pas kërcënimeve të Donald Trump, ndërsa një sondazh tregon se vetëm 17 për qind e amerikanëve e mbështesin idenë e marrjes së ishullit
Ministrja e Jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt, është përlotur gjatë një interviste televizive live, teksa komentonte dështimin e një takimi në Shtëpinë e Bardhë për të zbutur kërcënimet e presidentit amerikan Donald Tramp ndaj territorit autonom të Groenlandës.
Motzfeldt dhe ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen, u takuan në Uashington me zëvendëspresidentin amerikan JD Vance dhe sekretarin e Shtetit Marco Rubio, në një përpjekje për të ulur tensionet pas deklaratave të përsëritura të Tramp për marrjen nën kontroll të Groenlandës. Pas takimit, Rasmussen pranoi se pala amerikane nuk ndryshoi qëndrim, duke theksuar se dëshira e presidentit për të marrë Groenlandën mbetet e pandryshuar dhe nuk është në interes të Mbretërisë së Danimarkës.
Gjatë intervistës për radion publike të Groenlandës, Motzfeldt foli për presionin e madh të ditëve të fundit dhe për punën intensive të qeverisë së saj. Ajo theksoi se situata ka qenë emocionalisht e rëndë, duke pranuar se ndihej e mbingarkuar, por siguroi se institucionet e Groenlandës mbeten të forta dhe të përkushtuara për të garantuar sigurinë dhe qetësinë e qytetarëve.
Zhvillimet vijnë në një kohë kur një sondazh i ri Reuters dhe Ipsos tregon se vetëm 17 % e amerikanëve e mbështesin përpjekjen e Tramp për të marrë nën kontroll Groenlandën, një territor vetëqeverisës dhe pjesë e Mbretërisë së Danimarkës. Sondazhi tregon gjithashtu se shumica dërrmuese e demokratëve dhe republikanëve kundërshtojnë përdorimin e forcës ushtarake dhe shprehin shqetësim se një veprim i tillë do të dëmtonte aleancën e NATO-s dhe marrëdhëniet e SHBA-së me Evropën.
Tramp ka deklaruar së fundmi se marrja e pronësisë mbi Groenlandën është psikologjikisht e rëndësishme për të, duke argumentuar se SHBA nuk mund të mbështetet te Danimarka për të mbrojtur ishullin në rast të kërcënimeve nga Rusia apo Kina. Deklarata që kanë nxitur reagime të forta diplomatike dhe shqetësim në Evropë.
