Shkruar nga Pamfleti
Në listën e re të barnave të rimbursueshme janë shtuar 25 ilaçe të tjera të firmës “Novartis” të Kliti Hotit, deputetit të PD-së së Shkodrës, i hetuar nga SPAK për kontrabandë dhe falsifikim medikamentesh…
Prej ditës së parë në detyrë, ministrja Evis Sala u shfaq me premtimin se do të “plotësonte listën e barnave jetike për pacientët kronikë”. Në realitet, ndryshimet në skemën e rimbursimit kanë përjashtuar ilaçet më të domosdoshme dhe kanë futur kompani të lidhura me politikën, përfshirë firmën “Novartis” të deputetit demokrat Kliti Hoti, e cila tashmë furnizon spitalet dhe farmacitë e vendit me miratim direkt nga qeveria.
Ditën e parë si ministre e Shëndetësisë, Evis Sala deklaroi se “një nga prioritetet e saj të para” do të ishte plotësimi i listës së barnave të rimbursueshme për pacientët kronikë. Në fjalën e saj, ajo tha se do të kishte “mbështetjen e plotë të kryeministrit Edi Rama” për këtë proces, që do të përmirësonte cilësinë e trajtimit në sistemin publik.
Por vetëm dy muaj më pas, dokumentet tregojnë një tjetër realitet: në vend të barnave jetike që mungojnë në spitale, ministrja ka ndryshuar skemën e rimbursimit duke futur kompani të reja të privilegjuara, mes tyre “Novartis”, pronë e deputetit të PD-së në Shkodër, Kliti Hoti.

Në listën e rimbursimit të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) për vitin 2025, kompania “Novartis” kishte 53 lloje ilaçesh të miratuara për shitje nëpër farmaci dhe spitale.
Në tetor 2025, me vendim të kryeministrit Rama dhe urdhër të Evis Salës, numri u rrit në 78 ilaçe; një shtesë prej 25 medikamentesh të reja, të gjitha të kontraktuara nga Ministria e Shëndetësisë me çmime të tregut dhe me garanci për fitim të plotë.
Burime brenda Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor konfirmojnë se sasia reale e ilaçeve të “Novartis”-it që qarkullon në sistemin spitalor është dhjetëfishuar brenda pak javësh, ndërkohë që kompanitë e tjera janë lënë jashtë ose janë kufizuar në kuota.
Në praktikë, kjo do të thotë se Ministria e Shëndetësisë i blen medikamentet deputetit të PD-së me çmim të plotë tregu, për t’i shpërndarë në farmaci dhe spitale si ilaçe të rimbursueshme, një skemë që garanton fitim të sigurt për furnitorin, pa konkurrencë të ndershme.
Problemi nuk mbaron te konfliktet e interesit. Sipas dosjeve hetimore të SPAK, deputeti Kliti Hoti rezulton i lidhur me ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja, në rrjetin e importit të ilaçeve kontrabandë dhe të falsifikuara.
Në hetimet për rrjetin farmaceutik që manipulonte tenderët e ilaçeve dhe materialeve mjekësore, Hoti del si përfitues përmes kompanisë “Novartis” dhe si ortak i fshehtë i disa depozitave farmaceutike, të menaxhuara nga kunati i tij, Dorian Sadiku.
Raportet policore tregojnë se më 10 dhjetor 2021, në Portin e Durrësit, janë kapur 2 ton ilaçe kontrabandë me destinacion kompaninë e Hotit, ndërsa më 17 dhjetor 2024, në Rinas, u ndalua një tjetër ngarkesë prej 1 milion tabletash, disa prej të cilave përdoreshin për përgatitje droge sintetike.
Megjithatë, asnjë masë nuk është marrë ndaj deputetit të PD-së, i cili gëzon paprekshmëri të plotë politike. Burime lokale në Shkodër pohojnë se “mbrojtja” e Hotit është e garantuar nga marrëveshje të heshtura mes Ramës dhe PD-së, që përfshijnë financime zgjedhore dhe shpërndarje tenderash.
Fakti që Evis Sala, një ministre e caktuar personalisht nga Rama, ka firmosur shtimin e kontratave të “Novartis”-it vetëm sa forcon dyshimin se ky është një pazar politik me interes financiar të dyanshëm.
Ironikisht, ndërsa kompanitë e dyshuara për falsifikim e kontrabandë futen në listën e barnave të rimbursueshme, ilaçet jetike me çmime të larta për të sëmurët kronikë nuk janë përfshirë ende. Pacientët me diabet, sëmundje të zemrës apo kancer, vazhdojnë të paguajnë vetë për trajtime që duhej të mbuloheshin nga shteti.
Nëse kjo politikë e re për “rimbursim” është simbol i reformës që solli Evis Sala, atëherë ministria e saj është kthyer në një instrument për pasurimin e kontrabandistëve dhe mbajtjen e gjallë të marrëdhënieve politike mes PS dhe PD përmes sistemit farmaceutik.
Kompania “Novartis” e Kliti Hotit, me dyshime për kontrabandë e falsifikim, është sot furnitori më i privilegjuar i Ministrisë së Shëndetësisë dhe i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, një provë e qartë se në Shqipëri korrupsioni politik nuk njeh as ngjyrë partie, as kufij etikë./Pamfleti
