
Alice Rufo bën thirrje për unitet europian, duke theksuar se pas presioneve amerikane ndaj Groenlandës dhe tarifave tregtare, Evropa duhet të dalë më e fortë dhe më e pavarur
Ministrja e deleguar franceze për Forcat e Armatosura, Alice Rufo, ka dhënë një mesazh të fortë politik gjatë një interviste në RTL, ku ka deklaruar se Evropa ndodhet përballë një momenti historik që do të shënojë një “para dhe pas” në rendin ndërkombëtar. Reagimi i saj vjen pas një serie kërcënimesh dhe deklaratash të ashpra nga presidenti amerikan Donald Tramp, përfshirë aludime për aneksimin e Groenlandës dhe vendosjen e tarifave të reja doganore.
E ftuar në emisionin Le Grand Jury, Rufo theksoi se Evropa duhet të dalë më e ndërgjegjshme dhe më e bashkuar nga kjo situatë. Sipas saj, presionet e fundit nga Uashingtoni nuk duhet të shihen vetëm si kërcënim, por si një thirrje zgjimi për kontinentin europian. Ajo e cilësoi unitetin europian si një domosdoshmëri strategjike dhe jo thjesht një zgjedhje politike.
Ministrja vlerësoi gjithashtu qëndrimin e kryeministrit kanadez Mark Carney, të cilin e quajti të guximshëm për mënyrën se si e përshkroi situatën aktuale si një tranzicion në rendin botëror. Sipas Rufo, Evropa, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja nuk janë aktorë dytësorë në skenën globale, por duhet të jenë të vetëdijshëm për peshën dhe forcat e tyre.
Ajo nënvizoi se sfida kryesore për Evropën mbetet ulja e varësive strategjike, veçanërisht në fushën e mbrojtjes, energjisë dhe teknologjisë. “Kur Evropa sulmohet, ajo reagon më fort dhe flet me një zë më të fuqishëm”, deklaroi Rufo, duke sugjeruar se kërcënimet e jashtme mund të shërbejnë si katalizator për një integrim më të thellë europian.
Në të njëjtën kohë, ministrja kritikoi publikimin e mesazheve private mes liderëve botërorë, duke e cilësuar këtë praktikë si të papërshtatshme dhe të dëmshme për marrëdhëniet diplomatike.
Deklaratat e Alice Rufos vijnë në një klimë tensioni të shtuar ndërkombëtar, ku retorika e fortë e Tramp po riformëson raportet mes SHBA-së dhe aleatëve tradicionalë. Mesazhi i Parisit është i qartë: Evropa duhet të përgjigjet jo me përqasje, por me unitet, qartësi strategjike dhe forcim të rolit të saj në skenën globale.
