

E prezantuar si “zgjidhja dixhitale” për transparencën në prokurimet publike, ministrja virtuale Diella është përfshirë në një skandal të rëndë që në ditët e para të mandatit. Në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimeve Publike (APP), është konstatuar zhdukja e plotë e arkivit të tenderave që prej vitit 2010.
Çdo dosje dhe dokument për tendera, koncesione apo prokurime të kryera gjatë 11 viteve të fundit rezulton bosh, duke fshirë kështu një historik të plotë që shërbente si bazë për transparencë dhe kontroll publik. Ky veprim ka ngritur dyshime të forta mbi arsyet dhe qëllimet që qëndrojnë pas tij: kush kishte interes të zhdukte këto të dhëna dhe përse pikërisht tani?
Për vite me radhë, mediat dhe organizatat e shoqërisë civile kanë denoncuar skemat e abuzimeve me tendera publikë dhe përdorimin klientelist të fondeve shtetërore. Zhdukja e arkivit nuk bën gjë tjetër veçse përforcon bindjen se po tentohet të fshihen gjurmët e abuzimeve të së shkuarës.
Ironia e hidhur është se ministrja virtuale, që u promovua si inovacion për të luftuar korrupsionin përmes teknologjisë, e ka nisur punën duke eliminuar mjetin më të rëndësishëm për transparencë: të dhënat publike.
Tani mbetet e paqartë nëse ky vendim është marrë me dijeninë e Diellës apo me bekimin e vetë kryeministrit, i cili prej vitesh ka premtuar transparencë në prokurime, ndërsa realiteti tregon të kundërtën.