
Ngjarja e rëndë ndodhi pak para mesnatës në Bury, dy persona në pranga nën dyshimin për vrasje
Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur Britaninë e Madhe në prag të ndërrimit të viteve, ku një i ri rreth të 20-ave humbi jetën pasi u godit me thikë vetëm pak minuta para nisjes së Vitit të Ri 2026.
Sipas autoriteteve, policia u njoftua rreth orës 23:55 të mbrëmjes së 31 dhjetorit për një konflikt në një banesë në rrugën Tarn Drive, në zonën Bury të Greater Manchester. Në vendngjarje u gjet një mashkull me plagë të rënda, që dyshohet se ishin shkaktuar nga një mjet prerës.
Shërbimet e emergjencës ndërhynë menjëherë, por pavarësisht përpjekjeve mjekësore, i riu ndërroi jetë në vend.
Policia e Greater Manchester ka konfirmuar se një mashkull dhe një femër, të dy në të 20-at, janë arrestuar nën dyshimin për vrasje dhe ndodhen në paraburgim për t’u marrë në pyetje. Hetimet janë ende në vijim, ndërsa forcat forenzike vijojnë punën në zonën ku ndodhi krimi.
Autoritetet nuk kanë bërë ende publike identitetin e viktimës, ndërsa kanë apeluar për bashkëpunim nga qytetarët që mund të kenë informacion të vlefshëm për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
