Qeveria ka rishikuar buxhetin e shtetit për herë të 4-t teksa ka vendosur të japë shpërblime për fundvitin për personat me aftësi ndryshe në vlerën 15.000 lekë, kategori e cila nuk ishte e përfshirë në aktin të tetorit ku dhanë shpërblime për pensionistët.
Ministri i Financave Petrit Malaj njofton se prej këtij akti normativ përfitojnë 148 mijë persona.
“Mbështetje financiare për familjet me ndihmë ekonomike me 15 mijë lekë, janë 148 mijë përfitues me fond 2.2 miliardë lekë si për shpërblimin e familjeve në nevojë dhe per personat me aftesi ndryshe”, tha Malaj.
Malaj njoftoi se në llogarinë për pensionet në Bankën e Shqipërisë do të kalojnë fondet e pashpenzuara nga institucionet këtë vit.
“Janë 150 mln euro do të kalojë në llogarinë që kemi në bankën e shqipërisë për skemën e pensioneve që të mbështesim reformën e re”, tha Malaj.
Me rishikimin e buxhetit të ri, 2 miliardë lekë shtesë do të shkojnë për fermerët nëpërmjet skemave mbështetëse. Gjithashtu 1.2 miliardë lekë shtesë janë parashikuar për pushtetin vendor me qëllim shlyerjen e borxheve.
“Fermerët do të përfitojnë 2 mld lekë shtesë përmes skemave mbështetëse. 1.2 mld lekë shtesë për pushtetin vendor për të shlyer borxhet e pushtetit vendor. Kjo vlerë është e barabartë me 40% të detyrimeve të pushtetit vendor”, tha ndër të tjera Malaj.
