Kuvendi ka votuar sot me 80 vota pro, shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”. Ky projektligj kërkonte shumicë absolute votash për miratim.
Në seancë, Partia Demokratike ka pretrenduar se po shkelen afatet proceduriale dhe kushtetuese, ndaj në votim ka dhënë 22 vota kundër. Ndërkohë projektligji i ka kaluar Komisionit për Punët e Jashtme dhe pas orës 12:00 pritet të rinisë seanca.
Një ditë më parë qeveria shqiptare miratoi vendimin për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën.
“Në mbështetje të urdhrit nr. 4, datë 21.1.2026 të Kryetarit të Kuvendit, z. Niko Peleshi, rendi i ditës është si më poshtë:
1. Njoftime. (Neni 44, pika 3, të Rregullores së Kuvendit)
2. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes””, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Pak ditë më parë, Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se kishte marrë një ftesë personale nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një organizatë e re ndërkombëtare e ideuar prej tij. Ky bord do të ketë si mision administrimin e Gazës dhe nxitjen e paqes në rajon.
