
Reshjet shkaktojnë shembje shtyllash elektrike dhe rrezik për banesa, rrugë dhe ujësjellës, kërkohet ndërhyrje urgjente nga institucionet qendrore.
Situata e motit në Qarkun Lezhë është përmirësuar pas ndërprerjes së reshjeve të shiut dhe dëborës në zonat mbi 700 metra mbi nivelin e detit, por pasojat e ditëve të fundit vijojnë të jenë shqetësuese në disa bashki.
Nga bashkia Kurbin raportohet se gjendja në terren paraqitet më e stabilizuar në zonat problematike, përfshirë njësinë Fushë Kuqe dhe fshatin Adriatik, ku ka pasur ulje të nivelit të ujit pas evadimit të tij. Probleme janë shënuar një ditë më parë në fshatin Patok, kryesisht në biznese dhe lokale, si pasojë e baticave detare. Gjatë ditës së sotme pritet të vijojë verifikimi i dëmeve, si dhe pastrimi i rrugicave dhe largimi i inerteve të sjella nga prurjet.
Në bashkinë Lezhë situata paraqitet e qetë, ndërsa strukturat vendore do të vijojnë monitorimin e territorit dhe evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet, përfshirë pastrimin e mbetjeve dhe aluvioneve.
Më problematike mbetet situata në bashkinë Mirditë. Si pasojë e gërryerjes së vazhdueshme të tokës bujqësore në zonën Zall–Donaj nga lumi Fan i Vogël, rreth mesnatës janë rrëzuar sërish shtyllat e tensionit të mesëm, të spostuara vetëm një ditë më parë nga OSHEE. Si rezultat, fshatrat Ndërfanë, Gëziq, Kalanjan dhe Cekaj kanë mbetur pa energji elektrike. Gërryerja po avancon drejt rrugës së fshatit dhe banesave, duke rritur rrezikun për komunitetin.
Autoritetet vendore kanë kërkuar mbështetje urgjente nga Ministria e Bujqësisë përmes mjeteve të DRUK Lezhë, ndërsa Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile është vënë në dijeni që prej datës 9 janar.
Një tjetër problematikë serioze raportohet në fshatin Jezull, ku gërryerjet e përroit kanë zbuluar tubacionin kryesor të ujësjellësit që furnizon qytetin e Rrëshenit dhe zonat përreth. Avancimi i mëtejshëm i fenomenit rrezikon këputjen e tubacionit dhe shembjen e aksit rrugor që lidh disa fshatra.
Nga Drejtoria Rajonale e Ujërave dhe Kullimit bëhet me dije se puna për përforcimin e argjinaturës së lumit Drin në fshatin Ishull Shëngjin vijon edhe sot me mjete të rënda, eskavatorë dhe dhjetëra punonjës, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake.
Furnizimi me ujë të pijshëm ka vijuar normalisht, ndërsa niveli i lumenjve Drin dhe Mat është në rënie dhe po i afrohet parametrave normalë për këtë periudhë. Probleme në akset rrugore deri në këto momente nuk raportohen, ndërsa autoritetet mbeten në monitorim të vazhdueshëm të situatës.
