
Miss Aquitaine dhe Miss Provence humbasin kurorat rajonale. Organizatorët: Sjellje në kundërshtim me vlerat e konkursit
Dy konkurente të Miss France 2026 janë përjashtuar nga gara dhe u janë hequr titujt rajonalë, pas publikimit të një videoje ku dëgjohen duke përdorur gjuhë fyese ndaj vajzave të tjera të nominuara në top 12. Shoqëria Miss France bëri të ditur vendimin të martën në mëngjes, duke konfirmuar se Aïnhoa Lahitete (Miss Aquitaine 2025) dhe Julie Zitouni (Miss Provence 2025) nuk do të vazhdojnë më rrugëtimin e tyre në event.
Në videon e publikuar nga blogeri francez Aqababe, Lahitete u filmua duke shprehur pakënaqësi për listën e gjysmëfinalisteve, teksa në sfond dëgjohet Zirouni të komentojë me fjalë të rënda për konkurentet e tjera. Pamjet shkaktuan reagime të forta në publik, duke vendosur nën presion organizatën e Miss France.
Në deklaratë, komitetet rajonale theksuan se komentet dhe sjellja e dy vajzave bien ndesh me etikën dhe imazhin që përfaqëson konkursi. “Kjo është një vendimmarrje me pasoja, por e domosdoshme”, u shprehën organizatorët, duke shtuar se procesi kërkoi konsultim dhe nuk mund të realizohej menjëherë.
Të dyja vajzat kanë kërkuar më pas falje publike në rrjetet sociale, megjithatë vendimi konsiderohet përfundimtar.
Skandali ka hapur një debat të gjerë në Francë për kulturën e konkurrencës në eventet e bukurisë dhe për sjelljen e pritshme të vajzave që mbajnë tituj përfaqësues të rajoneve të tyre.
