
Udhëtimi katërditor i kryebashkiakut të Nju Jorkut, Eric Adams, në Shqipëri, ka ngjallur reagime dhe dyshime jo vetëm në SHBA, por edhe në Shqipëri, ku fatura e mikpritjes po mbulohet nga taksapaguesit shqiptarë. Në letër, vizita është zyrtare: takime me kryeministrin Edi Rama, me bizneset, me sektorin e teknologjisë dhe turizmit. Në realitet, shumëkush pyet: çfarë përfiton Shqipëria nga një politikan në largim, i përfshirë në hetime për korrupsion dhe abuzim me udhëtime luksoze?
Burime nga “City Hall” në Nju Jork pohojnë se udhëtimi është pjesë e rolit ndërkombëtar të kryebashkiakut të një qyteti global. Megjithatë, ky argument bie poshtë përballë faktit se Adams nuk ka më garë politike, pas tërheqjes nga kandidimi për një mandat të dytë. Kjo e kthen vizitën në një tur personal për “shpëtim imazhi”, më shumë se një nismë reale bashkëpunimi.
Qeveria shqiptare, nga ana e saj, ka pranuar të mbulojë shpenzimet e akomodimit dhe transportit për Adams dhe stafin e tij, rreth 200 dollarë për hotel dhe 90 dollarë në ditë për transport. Nuk është shumë në terma buxhetorë, por pyetja thelbësore mbetet: pse duhet ta bëjmë? Çfarë vlere konkrete sjell kjo për qytetarët shqiptarë, për bizneset tona, apo për ekonominë?
Nëse qëllimi është promovimi i turizmit dhe i lidhjeve ekonomike me SHBA-në, atëherë duhen rezultate të matshme, marrëveshje të nënshkruara, projekte konkrete, jo thjesht foto në media. Deri më tani, nuk është publikuar asnjë agjendë zyrtare, asnjë plan veprimi, asnjë tregues i qartë që kjo vizitë ka objektiva reale përtej simbolikës.
Adams, i cili është akuzuar më herët për përfitime të paligjshme nga “Turkish Airlines”, këtë herë ka zgjedhur të fluturojë me “Lufthansa”. Por ironikisht, vizita e tij në Shqipëri ndodh nën një ombrellë transparence po aq të turbullt, ku as qytetarët e SHBA, as të Shqipërisë, nuk dinë saktësisht përse po e paguajnë këtë udhëtim.
Në një kohë kur qeveria shqiptare justifikon çdo qindarkë të shpenzuar me nevojën për promovim ndërkombëtar, rasti Adams duket si shembulli perfekt i asaj që s’ka nevojë për asnjë justifikim: PR politik me kosto publike.
Në fund të fundit, Shqipëria nuk ka pse të paguajë për rikthimin në skenë të një kryebashkiaku amerikan që po kërkon të shpëtojë reputacionin e tij. Dhe nëse kjo vizitë do të kishte vërtet vlerë për qytetarët shqiptarë, atëherë ajo duhej të fillonte me transparencë.Deri tani, gjithçka ngjan më shumë me një shfaqje për publik sesa me një vizitë me qëllim real. Në qendër të vëmendjes nuk është Shqipëria apo interesat e saj, por vetë Eric Adams, një politikan në rënie që kërkon të rifitojë imazh përmes një udhëtimi të mbështetur nga taksapaguesit shqiptarë.