
Ishte nga të parët parlamentarë që la mjekër. E kishte të bajagishme, masive. Si të një popi. Deputetët e krahut tjetër e shihnin me inat! Sekretarët politikë dhe kryetarët e kooperativave ndjenin vështirësi të kuptonin kohën që kishte ardhur. Shfaqjet e huaja kishin zbritur në parlament! Kështu e shpjegoj atë që më tregoi Teodori një ditë, tek doli nga parlamenti. – Xhelil Gjoni është fort i pakënaqur nga mjekra ime, – më tha. – Më doli para dhe më pyeti kur do ta heq.- Ty pyeti, ty, deputet i opozitës? – Edhe unë nuk u besoja veshëve të mi, por e kishte me tamam.- Është njësoj sikur Shefqet Vërlaci p.sh., të pyeste Fan Nolin kur do rruante mjekrën. – Nuk do ta heq pa ju rrezuar juve nga pushteti, – i thashë, vazhdoi Dori. Xhelili u nxeh shumë por u kujtua se nuk kishte çfarë të më bënte dhe iku. Pastaj u kthye:- Po prite të biem ne, do të shkojë mjekra deri në fund të këmbëve! – bërtiti nga larg. Kur ia kujtova këtë histori disa vjet më vonë, Teodori qeshi me trishtim.Duket Xhelil Gjonit nuk i mungonin aftësitë profetizuese.

(Në foto Teodor Keko 1958-2002)