Pas një hetimi katërmujor të Prokurorisë dhe Policisë së Fierit, në pranga përfundon një 66-vjeçar që kërkonte pagesa të paligjshme për kryerjen e ekzaminimeve me eko në spitalin rajonal.
Një mjek imazherist në spitalin rajonal të Fierit është arrestuar nga policia, pasi u kap në flagrancë duke marrë para nga një pacient për të kryer një eko abdominale. Arrestimi u krye në kuadër të operacionit policor të koduar “Imazheria”, i zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, pas një hetimi të zgjatur prej katër muajsh.
Sipas burimeve zyrtare, hetimet nisën pas sinjalizimeve se mjeku kërkonte shuma parash në mënyrë të përsëritur nga pacientët, për shërbime që në fakt ofrohen falas nga institucioni publik. Policia, pas mbledhjes së provave dhe ndjekjes së veprimtarisë së tij, organizoi ndërhyrjen duke e arrestuar në momentin e marrjes së ryshfetit.
I ndaluari është shtetasi G. T., 66 vjeç, banues në Fier, që ushtronte detyrën e mjekut imazherist në spitalin rajonal. Prokuroria e Fierit ka regjistruar ndaj tij procedim penal për veprat “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Organi i akuzës ka bërë me dije se hetimet do të vijojnë për të verifikuar nëse mjeku ka përfituar shuma të tjera nga pacientë të tjerë gjatë periudhës së punësimit në spitalin publik.
Policia e Fierit ka deklaruar se ky operacion është pjesë e një serie veprimesh të vazhdueshme për të luftuar korrupsionin në sistemin shëndetësor, duke theksuar se çdo abuzim ndaj qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore do të ndëshkohet me forcën e ligjit.
