Detaje të reja vijojnë të zbardhen nga goditja e grupit kriminal që shiste drogë në Tiranë. Në kuadër të operacionit “Labirinti 2”, Policia ka vënë në pranga 22 persona, ndërsa janë shpallur në kërkim disa të tjerë. Pjesë e rrjetit të trafikut të drogës, të cilët janë paraqitur ditën e sotme para Gjykatës, ishin edhe dy drejtorë të lartë të kompanisë celulare One Albania, bëhet fjalë për Erald Sinën, drejtues i Departamentit të Zyrave dhe Pasurive, si dhe Artan Pullazin, Team Leader pranë kësaj kompanie.
Zbardhja e aktivitetit kriminal është bërë e mundur falë agjentëve të infiltruar të Antidrogës së Tiranës, të cilët janë paraqitur si blerës të lëndëve narkotike. Përmes kësaj metode, është dokumentuar veprimtaria e paligjshme e rrjetit, e cila shtrihej në disa zona të kryeqytetit.
Sakaq në dosjen e siguruar nga Top Channel, janë zbardhur disa episode të komunikimit të tyre me policë të infiltruar, të cilët janë paraqitur si klientë, duke zbërthyer këtë grup dhe mënyrën sesi bëhej shpërndarja e drogës në gjithë kryeqytetin.
Një prej komunikime është ai mes të infiltruarit me emrin Hasan dhe Renaldo Dalipi, i arrestuar:
• Hasan: Hajde këtej hajde?
• Renaldo Dalipi: Si je me?
• Hasan: Ku je mo ta dëgjoj zërin po nuk të shoh?
• Renaldo Dalipi: O…
• Hasan: Hë mor burr.
• Renaldo Dalipi: Ku je ti?
• Hasan: …
• Renaldo Dalipi: …Ta çoj un
• Hasan: Ça do m’çosh ti tashi e
• Renaldo Dalipi: Kaloj un urën tashi o zemra. Hajt se flim prap.
Komunikimi i dytë, blerja e simuluar: Engelbert Pjetri, i arrestuar, dhe i infiltruari me emrin Rei:
• Engelbert Pjetri: Për 10 minuta, ti do nji t’modhe? (subjekti dëgjohet në sfond që flet me dikë tjetër).
• Rei: Na ma jep dhe mu nji.
• Engelbert Pjetri: Prit 10 minuta mos merr më asnji mo…
• Rei: …
• Engelbert Pjetri: Prit për 10 minuta, ka mbaruar…
Bisedë tjetër midis bashkëpunëtorit të policisë Rei dhe i arrestuari Engelbert Pjetrit:
Kjo bisedë lidhet me blerjen e simuluar të datës 02.12.2025 në bulevardin “Bajram Curri”:
• Rei: O vëlla si kalove?
• Engelbert Pjetri: …
• Rei: A ke pesëqind lek të vogla?
• Engelbert Pjetri: Nuk kam asnji lek… o vëlla … lek aty e më kërko lek mua ai, ja fusni k… me shpulla ju!
• Rei: Njëqind lek kisha!
• Engelbert Pjetri: … hec pak para … ishe tap …
Blerja e simuluar: i arrestuari Armandi Hajdini dhe “Genti”
Kjo bisedë ka ndodhur më datë 26.11.2025 rreth orës 20:29:
• Genti: Ke mall t’vogël apo, a është gjo tamam o vlla se kam tërë natën që jam bo nga… cop cop e mos na fikso kot o vlla se kam edhe rob në shpi mos ja fut k…
• Armandi Hajdini: … s’ka.
• Genti: Amon mo tkeqen.
• Armandi Hajdini: Ça je tu bo ti?
• Genti: Hiç o vlla.
• Armandi Hajdini: Që dje tu pi.
• Genti: Po, m’ka qëllu e keqe prandaj a osht gjo tamam? Po t’pys tamam e kom seriozisht po t’flas tamam?
• Armandi Hajdini: Ik, se ngjohena në telefon.
Nga hetimet ka rezultuar se grupi përdorte metoda të kamufluara për shpërndarjen e drogës, duke shfrytëzuar taksi dhe motoçikleta për shpërndarje ushqimi. Me taksi lëvizte Olsi Mici, ndërsa shpërndarja me motor kryhej nga Erdison Gjella, i cili përdorte një mjet të branduar me një markë ndërkombëtare picash. Mes të arrestuarve ndodhet edhe një ish-ushtarak, Dylber Alijaj.
Si rezultat i operacionit u sekuestruan rreth 500 gramë lëndë e dyshuar narkotike Kokainë; 10 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe 100 doza të kësaj lënde; 5 automjete; 28 celularë; 6 peshore elektronike dhe 3 000 euro.
Në total, në pranga kanë rënë: Renaldo Dalipi, Engelbert Pjetri, Armandi Hajdini, Olsi Mici, Fatjon Çela, Xhon Boci, Laert Murataj, Artan Pullazi, Erald Sina, Blerim Mali, Gentjan Vercani, Valerjos Bushi, Olkid Hajdari, Dylber Alijaj, Angjelos Mema, Majdi Musa, Jurgen Hekurani, Erdison Gjella, Abdurahman Bollati, Klodian Rrucaj, Indri Nakaj dhe Genti Kraja.
