
Pronari: Personi është filmuar nga kamerat, drejtësia duhet të veprojë
Ngjarja e djegies së një mobilerie në qytetin e Vlorës ka rikthyer shqetësimin për incidentet e përsëritura kundër bizneseve lokale. Pronari i saj, i cili mbërriti në vendngjarje pas një telefonate të marrë në orët e para të mëngjesit, deklaron se nuk ka asnjë konflikt me askënd dhe nuk dyshon ndaj personave me të cilët bashkëpunon.
Ai shprehet se kamerat e sigurisë kanë regjistruar autorin dhe beson se ngjarja do të zbardhet shpejt, pasi, sipas tij, personi është i identifikueshëm. Pronari konfirmon se është hera e dytë që biznesi i tij përballet me zjarrvënie. Dëmet e llogaritura këtë radhë shkojnë rreth 3 milionë lekë të rinj, ndërsa herën e parë dëmet kapën vlerën e 5 milionë lekëve të rinj.
Sipas tij, çështja tashmë i takon organeve ligjzbatuese të cilat, siç thekson ai, duhet të bëjnë detyrën për të identifikuar dhe nxjerrë para drejtësisë autorin.
Në përfundim, pronari thekson se nuk ka asnjë lloj përplasjesh apo mosmarrëveshjesh dhe se ka zgjedhur t’i besojë drejtësisë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
