
E djathta euroskeptike kundërshton marrëveshjen Mercosur, votimi pritet javën e ardhshme në Strasburg
Komisioni Europian i drejtuar nga Ursula von der Leyen do të përballet me një tjetër sfidë politike, pasi në Parlamentin Evropian është depozituar një mocion i ri mosbesimi, i katërti brenda vetëm gjashtë muajve.
Debati dhe votimi për mocionin pritet të zhvillohen javën e ardhshme gjatë seancës plenare në Strasburg. Tre përpjekjet e mëparshme për rrëzimin e Komisionit kanë dështuar, por nisma e re rikthen në vëmendje përplasjet e forta politike brenda Bashkimit Europian.
Mocioni është iniciuar nga grupi i djathtë Patriotët për Evropën, ku bëjnë pjesë edhe eurodeputetë të partisë Rassemblement National të Marine Le Pen si dhe përfaqësues të forcës politike të kryeministrit hungarez Viktor Orbán.
Shkaku kryesor i mocionit lidhet me kundërshtimin e marrëveshjes tregtare Mercosur, e cila përfshin Brazilin, Argjentinën, Uruguain dhe Paraguain. Sipas nismëtarëve, kjo marrëveshje dëmton fermerët evropianë dhe cenon sovranitetin ushqimor të Bashkimit Europian.
Në deklaratat e tyre, përfaqësuesit e grupit akuzojnë Komisionin Evropian për shpërfillje të Parlamentit Evropian, parlamenteve kombëtare dhe interesave të miliona fermerëve, duke argumentuar se hapja e tregut ndaj produkteve nga Amerika Latine rrezikon standardet evropiane të sigurisë ushqimore.
Pavarësisht kundërshtimeve dhe mocionit të ri, nënshkrimi i marrëveshjes Mercosur pritet të realizohet këtë fundjavë në Paraguai, ku do të jetë e pranishme vetë Ursula von der Leyen, së bashku me Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa.
Mbetet për t’u parë nëse ky mocion i katërt do të ketë ndikim real politik apo, si tre të mëparshmit, do të dështojë të rrëzojë Komisionin Europian.
