
Ish-kryediplomatja e BE siguron se Akademia Diplomatike ka respektuar standardet më të larta të integritetit dhe se do të vazhdojë bashkëpunimin me autoritetet
Federica Mogherini, rektorja e Kolegjit të Europës dhe ish-Përfaqësuese e Lartë e BE për Politikën e Jashtme, ka reaguar për herë të parë pas hetimeve që kanë përfshirë Akademinë Diplomatike Evropiane. Në një deklaratë publike, ajo tha se u ka sqaruar hetuesve çdo detaj të kërkuar dhe se ruan besim të plotë te drejtësia dhe procesi transparent i verifikimit.
Mogherini theksoi se gjatë takimit me hetuesit e Prokurorisë Publike Evropiane ka shpjeguar plotësisht pozicionin e saj lidhur me procedurat e ndjekura në krijimin e Akademisë Diplomatike. Ajo nënvizoi se ky institucion ka zbatuar gjithmonë standardet më të larta të integritetit dhe drejtësisë, një traditë që sipas saj do të vazhdojë pavarësisht hetimeve në zhvillim.
Sipas Mogherinit, Akademia ka ofruar për tre vjet mësimdhënie dhe praktikë të nivelit më të lartë për pjesëmarrësit e saj, duke qenë një prej projekteve strategjike të BE-së në fushën e formimit diplomatik. Ajo shtoi se është e bindur se kontrolli gjyqësor do të vërtetojë korrektësinë e veprimeve të institucionit.
Mogherini u shpreh e gatshme të vijojë bashkëpunimin e plotë me autoritetet deri në përfundim të hetimeve, ndërsa Brukseli vijon të përballet me jehonën e skandalit që ka prekur nivelet më të larta të diplomacisë evropiane.
