
Një shënim urgjent i dorëzuar gjatë një takimi presidencial sinjalizon afrimin e marrëveshjes mes Izraelit dhe Hamasit, ndërsa Trump përgatitet të udhëtojë drejt Egjiptit për shpalljen historike.
Një skenë e pazakontë është regjistruar në Shtëpinë e Bardhë, ku Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ndërpreu një takim të Presidentit Donald Trump për t’i dorëzuar një shënim urgjent që njoftonte se “një marrëveshje paqeje mes Izraelit dhe Hamasit është shumë afër”.
Në letrën zyrtare me stemën e Shtëpisë së Bardhë, Rubio i kërkonte presidentit të bënte menjëherë një postim në Truth Social, në mënyrë që ai të ishte i pari që do të shpallte publikisht arritjen e paqes.
“Sapo mora një shënim nga Rubio që thotë se jemi afër një marrëveshjeje në Lindjen e Mesme. Më duhet të shkoj në një takim tjetër,” – deklaroi Trump me një buzëqeshje përpara gazetarëve, duke lënë të kuptohet për një zhvillim të afërt historik.
Sipas mediave amerikane, Rubio dhe Trump kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me ekipin amerikan të negociatorëve në Egjipt, ku po zhvillohen bisedimet e treta indirekte mes Izraelit dhe Hamasit mbi një plan paqeje 20-pikësh të propozuar nga SHBA.
Në këto negociata marrin pjesë gjithashtu Katari dhe Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi, të cilët raportojnë “sinjale pozitive” nga të dyja palët.
Trump konfirmoi se po shqyrton mundësinë për të udhëtuar në Lindjen e Mesme në fund të javës, duke përfshirë Egjiptin dhe ndoshta Rripin e Gazës, nëse marrëveshja përfundimtare arrihet.
“Kemi një ekip të shkëlqyer atje. Negociatat po ecin mirë dhe, po, ka shumë mundësi që këtë fundjavë të kemi paqe në Lindjen e Mesme,” – tha ai.
Bisedimet ndodhen në një fazë vendimtare, dhe burime nga Uashingtoni theksojnë se administrata amerikane po punon intensivisht që Trump të jetë ai që do të shpallë personalisht marrëveshjen historike për ndalimin e luftës në Gaza.