Të paktën 32 minatorë humbën jetën të ditën e djeshme në një shembje të një ure në një minierë kobalti në juglindje të Republikës Demokratike të Kongos, sipas autoriteteve lokale.
Tragjedia ndodhi në minierën Kalando, brenda gurores Mulondo, e cila operohet zyrtarisht nga kompania Pajeclem, rreth 42 kilometra në juglindje të Kolëezit,
kryeqytetit të provincës Lualaba.
“Pavarësisht ndalimit zyrtar të hyrjes në zonë për shkak të reshjeve të dendura dhe rrezikut të rrëshqitjeve, minatorë të paligjshëm hynë në gurore,” deklaroi për mediat Roy Kaumba Mayonte, ministër i Brendshëm i provincës. Ai shtoi se kalimi i shpejtë i tyre shkaktoi shembjen e një ure të improvizuar. “Deri tani janë nxjerrë 32 trupa,” tha ai, duke theksuar se operacionet e kërkimit “vazhdojnë”.
Një zyrtar i shërbimit minerar i tha Reuters-it se numri i viktimave arrin në 49. Sipas shërbimit, shembja “u shkaktua nga paniku, i cili duket se u nxit nga të shtënat e personelit ushtarak që ruante zonën”.
