
Pas më shumë se dy dekadash nga skandali Clinton, ish-sekretarja e Shtëpisë së Bardhë shfaqet si ikonë stili dhe aktivizmi shoqëror
Monica Lewinsky, emri që bëri bujë botërore pas aferës së famshme me ish-presidentin Bill Clinton në vitet ’90, ka bërë një rikthim surprizë dhe mbresëlënës në skenën publike. Sot, në moshën 51-vjeçare, ajo është shfaqur në disa prej eventeve më të rëndësishme kulturore dhe mondane në SHBA, duke tërhequr vëmendjen e mediave jo për skandalin e dikurshëm, por për stilin dhe ndikimin e saj të ri.
Në fillim të prillit, Lewinsky u shfaq në Broadway, ku mori pjesë në premierën e shfaqjes teatrale “Good Night, and Good Luck”, e cila shënoi debutimin e aktorit George Clooney në teatër. E veshur me një fustan të gjatë elegant ngjyrë të zezë, ajo u prit me ovacione nga fotografët në tapetin e kuq, duke spikatur mes yjeve të kinemasë botërore si Jennifer Lopez, Uma Thurman, Hugh Jackman dhe Julia Roberts.
Vetëm pak ditë më vonë, Monica u pa sërish në Los Angeles, në edicionin e dhjetë të Hollywood Beauty Awards, ku ndau skenën me emra të mëdhenj të showbiz-it si Sza, Sydney Sweeney, Snoop Dogg dhe Mariah Carey. Në muajin mars, ajo kishte tërhequr gjithashtu vëmendje në Vanity Fair Oscar Party, duke mahnitur me një fustan të guximshëm me dekolte të theksuar.
Pas 26 vitesh nga skandali që e bëri figurë publike për arsye negative, Lewinsky duket se ka rimarrë kontrollin mbi imazhin e saj. Përveçse ka lançuar një podcast personal, ajo është bërë edhe ambasadore e markës amerikane Reformation, ku ka promovuar fuqizimin e grave dhe pjesëmarrjen në proceset demokratike. “Të votosh është të përdorësh zërin tënd dhe ky është mjeti më i fuqishëm i demokracisë”, -ka deklaruar ajo së fundmi.
Rikthimi i Monica Lewinsky përbën një transformim të plotë: nga një figurë e përfolur për një aferë politike, ajo është shndërruar në një grua që sfidon paragjykimet, promovon aktivizmin dhe frymëzon me guximin e saj personal.