
Moska kundërshton planin 20-pikësh të mbështetur nga SHBA dhe Evropa, paralajmëron për përshkallëzim të konfliktit
Ministria e Jashtme e Rusisë ka refuzuar zyrtarisht planin 20-pikësh të paqes për Ukrainën, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët europianë, duke e cilësuar atë si një projekt që nuk synon paqen, por përshkallëzimin e konfliktit.
Në një deklaratë të ashpër, Moska u shpreh se dokumenti është “shumë larg një zgjidhjeje paqësore” dhe se propozimet e tij synojnë vazhdimin e militarizimit dhe tensioneve në rajon. Sipas autoriteteve ruse, thelbi i planit është vendosja e një force shumëkombëshe në territorin ukrainas, e cila do të mbështesë rindërtimin e ushtrisë së Ukrainës dhe do të shërbejë si mekanizëm parandalues pas ndalimit të luftimeve.
Refuzimi vjen pas marrëveshjes së arritur në Paris mes emisarëve të Presidentit amerikan Donald Tramp dhe liderëve europianë, e cila parashikon garanci sigurie për Ukrainën, ndihmë ushtarake afatgjatë, sanksione shtesë në rast të një sulmi të ri rus dhe bashkëpunim të thelluar në fushën e mbrojtjes.
Rusia kundërshtoi gjithashtu vazhdimin e programit që lejon vendet europiane të blejnë armë amerikane për t’ia dhënë Ukrainës, duke argumentuar se kjo forcon lidhjet ushtarake mes Ukrainës dhe NATO-s, edhe pse Kievi nuk është anëtar i aleancës.
“Deklaratat e reja militariste të asaj që quhet ‘Koalicioni i të Gatshmëve’ dhe regjimi i Kievit po krijojnë një bosht të vërtetë lufte, me pasoja të rrezikshme për të ardhmen e kontinentit europian”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme ruse.
Moska paralajmëroi se këto zhvillime mund të thellojnë krizën ndërkombëtare dhe të rëndojnë situatën e sigurisë në Europë, ndërsa përpjekjet për paqe, sipas saj, po përdoren si mbulesë për ambicie ushtarake.
