
Kremlini ka hedhur idenë e ndërtimit të një tuneli gjigant që do të lidhte Rusinë me SHBA, si simbol bashkimi mes dy superfuqive. Projekti parashikohet të realizohet nga kompania e Elon Musk, The Boring Company.
Një propozim i pazakontë diplomatik dhe inxhinierik ka ardhur nga Moska: ndërtimi i një tuneli 70 milje të gjatë nën Ngushticën e Beringut, që do të lidhte Rusinë me Alaskën. Projekti, i quajtur “Tuneli Putin–Trump”, synon të shërbejë si një urë bashkëpunimi mes dy vendeve dhe të forcojë marrëdhëniet SHBA–Rusi pas tensioneve të gjata për shkak të luftës në Ukrainë.
Sipas Kirill Dmitriev, kreu i Fondit Sovran të Investimeve të Rusisë (RDIF) dhe i dërguar i posaçëm për investime i presidentit Vladimir Putin, projekti do të mund të ndërtohej për më pak se tetë vjet me ndihmën e kompanisë The Boring Company të Elon Musk. Kostoja e tunelit, sipas llogarive paraprake, do të arrijë në rreth 8 miliardë dollarë.
Dmitriev tha se ideja u rilind pas një bisede telefonike mes Putinit dhe Donald Trump, të cilët po planifikojnë një takim në Budapest për të diskutuar mundësi bashkëpunimi ekonomik dhe përpjekje për paqe në Ukrainë.
“Ëndrra për të lidhur SHBA dhe Rusinë përmes Beringut është e vjetër, që nga projektet e hekurudhës Siberi–Alaskë në vitin 1904 e deri te planet e papërfunduara të vitit 2007. Tani teknologjia e Musk mund ta bëjë këtë të realizueshme,” shkroi Dmitriev në platformën X, duke e quajtur projektin “simbol të unitetit mes Perëndimit dhe Lindjes.”
Ngushtica e Beringut ndan rajonin rus të Çukotkës nga Alaska dhe ka një gjerësi prej rreth 51 miljesh në pikën më të ngushtë. Për më shumë se një shekull, disa qeveri kanë propozuar ura ose tunele që do të bashkonin kontinentet e Amerikës dhe Euroazisë, por asnjë nuk është vënë në zbatim.
Dmitriev po ashtu përmendi mundësinë që kompani amerikane të energjisë të marrin pjesë me aksione në projektet ruse në Arktik, duke e parë tunelin si pjesë të një vizioni global për lidhjen e kontinenteve.
“Imagjinoni një rrugë që bashkon SHBA dhe Rusinë, një linjë e re komunikimi midis dy botëve; Tuneli Putin–Trump. Është koha të lidhim kontinentet për herë të parë në historinë e njerëzimit,” përfundoi Dmitriev.
Elon Musk nuk ka komentuar ende mbi propozimin e Kremlinit.