
Sinoptikanët paralajmërojnë rrezik të lartë për zonat veriore e jugperëndimore; policia apelon për kujdes ekstrem në rrugë
Shqipëria dhe Kosova po përballen me një javë të vështirë atmosferike, ku reshjet e dendura, stuhitë e forta dhe rreziku i përmbytjeve pritet të dominojnë territorin deri në fundjavë. Që prej ditës së djeshme, moti i paqëndrueshëm është shndërruar në shqetësimin kryesor të autoriteteve dhe qytetarëve.
Situata ka nisur të rëndohet ndjeshëm, pasi reshje të shumta priten gjatë gjithë ditës në zonat veriore dhe qendrore, ndërsa më vonë rrebeshet e forta do të zhvendosen drejt jugut.
Dita e mërkurë dhe sidomos e premtja do të shënojnë kulmin e përkeqësimit të motit, me reshje të larta në veri dhe jugperëndim, duke rritur rrezikun për përmbytje në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Vlorë dhe pjesë të Tiranës.
Moti do të mbetet i paqëndrueshëm gjatë gjithë javës. Të premten pritet një tjetër shtim i ndjeshëm i reshjeve, duke rritur rrezikun e prurjeve dhe prezencës së ujit në disa zona.
Meteorologia Tanja Porja paralajmëroi stuhi të fuqishme shoqëruar me erë të fortë jugore dhe shkarkesa elektrike. Ajo bëri thirrje që qytetarët të kufizojnë lëvizjet pa arsye, pasi situata mund të rëndohet në pak minuta.
“Do të kemi reshje intensive, stuhi, rrufe dhe erë të fortë. Qytetarët duhet të lëvizin me kujdes maksimal”, theksoi Porja, duke shtuar se temperaturat do të bien me të paktën dy gradë, ndërsa fundjava do të sjellë reshje dëbore në disa zona malore.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka raportuar gjithashtu reshje të forta që kanë nisur që në orët e para të mëngjesit, duke paralajmëruar rrezik të lartë për vërshime të shpejta në disa lokalitete.
Për shkak të situatës, Policia e Kosovës ka dalë me njoftim urgjent, duke apeluar te shoferët të lëvizin me kujdes ekstrem.
“Përshtatni shpejtësinë me kushtet atmosferike, ruani distancën dhe ngadalësoni në rrugët e mbuluara nga uji”, thuhet në apelin zyrtar.
Autoritetet meteorologjike parashikojnë që i gjithë rajoni të kalojë një javë të vështirë, me stuhitë që do të rikthehen periodikisht dhe reshjet e dendura që do të mbajnë të lartë rrezikun e përmbytjeve. Qytetarët në zonat problematike këshillohen të ndjekin me kujdes paralajmërimet zyrtare dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme.
About the Author
