
Reshjet dhe era e fortë shkaktojnë dëmtime në rrjetin shpërndarës në disa bashki të qarkut
Moti i keq që ka përfshirë qarkun e Elbasanit ka shkaktuar probleme serioze në furnizimin me energji elektrike, duke lënë pa drita rreth 700 familje në disa zona.
Sipas të dhënave zyrtare, dëmtime janë regjistruar në rrjetin shpërndarës dhe në shtyllat e tensionit të ulët, kryesisht në bashkitë Librazhd, Gramsh dhe Prrenjas. Si pasojë, energjia elektrike është ndërprerë në disa linja, ndërsa furnizimi është rikthyer vetëm pjesërisht në disa zona.
Ekipet e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ndodhen në terren dhe po punojnë për riparimin e dëmtimeve dhe rikthimin sa më të shpejtë të energjisë për abonentët e prekur.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar, veçanërisht në zonat ku vijojnë reshjet dhe era e fortë, ndërsa situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.
