
Autoritetet paralajmërojnë stuhi të fortë ere me shpejtësi deri në 25 m/sek, strukturat në gatishmëri gjatë gjithë natës.
Qyteti i Durrësit pritet të përballet me kushte të përkeqësuara atmosferike në orët në vijim, për shkak të intensifikimit të erërave të forta. Bashkia e Durrësit u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes maksimal.
Sipas parashikimeve meteorologjike, duke nisur nga ora 16:00 e ditës së sotme, era nga drejtimi jugor pritet të forcohet ndjeshëm, duke arritur shpejtësi deri në 25 metra për sekondë. Kjo situatë parashikohet të zgjasë deri në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Autoritetet lokale u bëjnë apel banorëve që të ndjekin me vëmendje njoftimet zyrtare dhe të marrin masa për sigurinë personale dhe atë të familjarëve. Strukturat përkatëse bashkiake dhe të emergjencave civile janë vënë në gatishmëri të plotë për të përballuar çdo problematikë që mund të paraqitet si pasojë e motit të keq.
Qytetarëve u kërkohet të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në zona të hapura, pranë objekteve të paqëndrueshme dhe gjatë qarkullimit rrugor.
