
Reshjet dhe erërat e forta kanë shkaktuar defekte të shumta në rrjetin elektrik, ndërsa ekipet e OSHEE vijojnë punën për rikthimin e furnizimit.
Shtrirja e motit të keq që prej ditës së djeshme ka shkaktuar probleme serioze në jug të vendit, ku disa zona po përballen me ndërprerje të gjata të energjisë elektrike. Në Gjirokastër dhe fshatrat përreth, një pjesë e mirë e banorëve raportojnë se ndodhen pa energji prej më shumë se 12 orësh.
Situata paraqitet më e rënduar në njësitë administrative të Lopësit dhe Kurveleshit në Tepelenë, në Krahës, Luftinjë dhe Qesarat në Memaliaj, si edhe në Zagori, Picar, Lazarat, Dropull dhe Lunxheri në Gjirokastër. Për shkak të terrenit të vështirë dhe motit të paqëndrueshëm, rikuperimi i defekteve po ecën me ritëm të ngadaltë.
Sipas OSHEE, shkarkesat atmosferike dhe erërat e forta kanë dëmtuar linjat e rrjetit të shpërndarjes. Grupet e punës ndodhen në terren dhe po punojnë për riparimin e linjave të dëmtuara, me synimin që furnizimi me energji të normalizohet sa më shpejt.
