
Bashkitë e qarkut raportojnë qetësi, përveç disa njësive malore që vijojnë të jenë pa energji elektrike për shkak të motit të paqëndrueshëm.
Reshjet e dendura që kanë përfshirë vendin që prej ditës së djeshme nuk kanë sjellë probleme serioze në qarkun e Shkodrës. Sipas njoftimit të Prefekturës, situata përgjithësisht është e qëndrueshme dhe strukturat vendore po monitorojnë terrenin në mënyrë të vazhdueshme.
Në Bashkinë Shkodër, reshjet kanë vazhduar gjatë natës me intensitet mesatar, por nuk janë evidentuar përmbytje apo dëmtime të infrastrukturës. Furnizimi me energji elektrike është normal dhe nuk raportohen probleme nga shërbimet e emergjencave.
Edhe në Bashkitë Malësi e Madhe dhe Pukë, autoritetet bëjnë me dije se nuk ka pasur situata problematike, ndërsa reshjet kanë qenë të pakta ose të moderuara.
Ndërkohë, në Bashkinë Vau Dejës, është raportuar mungesë energjie në tre njësi malore: Vig-Mnelë, Temal dhe Shllak. Ekipet përkatëse po punojnë për rikthimin e furnizimit dhe parandalimin e situatave të tjera të mundshme.
Në Bashkinë Fushë-Arrëz reshjet kanë vijuar me intensitet mesatar, por deri tani nuk ka raportime për emergjenca apo dëmtime në rrjetet rrugore dhe banesa.
Autoritetet lokale dhe strukturat e emergjencave civile vijojnë monitorimin në të gjithë territorin, duke qenë në gatishmëri për çdo zhvillim të mundshëm gjatë orëve në vijim.
