
Reshje intensive deri më 7 janar, rritje e niveleve të lumenjve dhe dëborë në zonat malore mbi 600 metra
Reshjet e shiut kanë përfshirë vendin që prej ditës së sotme dhe pritet të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, duke sjellë rrezik të shtuar për përmbytje dhe probleme infrastrukturore. Sipas njoftimit zyrtar të Instituti i Gjeoshkencave pranë Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, moti i paqëndrueshëm do të shoqërohet edhe me reshje dëbore në zonat malore.
IGJEO paralajmëron se gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme priten reshje me intensitet të lartë, kryesisht në veri dhe qendër të vendit. Në qarqet Shkodër dhe Kukës ekziston rreziku për vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje dherash, ndërsa në zonat urbane mund të shfaqen përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së sistemit të kanalizimeve.
Sipas parashikimeve për periudhën 3–7 janar 2026, reshjet intensive pritet të sjellin rritje të ndjeshme të prurjeve dhe niveleve në lumenjtë Drin-Buna, Liqeni i Shkodrës, Mat, Shkumbin dhe Vjosë. Autoritetet theksojnë se situata kërkon vëmendje të shtuar, veçanërisht në zonat me histori përmbytjesh.
Në qarkun e Vlorës, në lartësitë mbi 600 metra mbi nivelin e detit, parashikohen reshje dëbore gjatë periudhës 2–5 janar, me intensitet më të lartë më datë 5 janar. Temperaturat e ulëta pritet të favorizojnë ngricat dhe vështirësi në qarkullim në akset malore.
Temperaturat e parashikuara për ditën e nesërme janë 10 deri në 16 gradë në bregdet, 7 deri në 15 gradë në zonat e ulëta dhe 3 deri në 11 gradë në zonat malore.
Si pasojë e kushteve të motit, ekziston rreziku për vërshime uji në zona urbane dhe rurale, probleme në sistemet e kanalizimeve dhe përmbytje të përkohshme në zona me risk. Strukturat e mbrojtjes civile, veçanërisht në qarkun Vlorë, kanë nisur marrjen e masave paraprake për minimizimin e pasojave, duke përfshirë njoftimin e bizneseve dhe blegtorëve në zonat e rrezikuara, pastrimin e kanaleve kulluese dhe mbajtjen në gatishmëri të mjeteve të emergjencës.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat me risk, të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të marrin masa për mbrojtjen e jetës, pronës dhe bagëtive.
